Unitedi ia ndërpret kontratën Fergusonit
Kontrata shumë milionëshe e Sir Alex Ferguson me Manchester United ka marrë fund për shkak të një vendimi nga Sir Jim Ratcliffe dhe INEOS. Fergusoni si trajneri më i suksesshëm në histori të Unitedit u pensionua në vitin 2013 pas 38 trofeve të fituar, por megjithatë mbeti ende i përfshirë brenda klubit.
I pranishëm në pothuajse çdo ndeshje, Alex Ferguson shërbeu si drejtor dhe ambasador i klubit dhe për këtë detyrë ai mori një pagë vjetore. Sipas “The Athletic”, duke marrë për bazë llogaritë e vitit 2014 për palët e përfshira në këtë marrëveshje, Fergusoni u pajtua që të bëhet ambasador i tyre në tetor të vitit 2013. Për këtë arsye ai mori një pagë prej 2.16 milionë eurosh për shërbimet e tij si pjesë e përfshirjes së tij afatgjatë. Sidoqoftë tashmë këto lidhje janë shkëputur, pasi INEOS ka marrë vendim për të përgjysmuar kostot e shpenzimeve.
Ratcliffe e informoi Fergusonin për këtë vendim në një takim që patën ballë për ballë dhe thuhet se çështja është diskutuar shumë qetë dhe pa hatërmbetje. 82-vjeçari do të mbetet si një drejtor joekzekutiv dhe do t’i lejohet që të marrë pjesë nëpër ndeshje, por nuk do të marrë më pagesa përtej këtij sezoni.
Përveç Ferguson kujtojmë se INEOS kishte larguar nga puna plotë 250 punëtorë gjatë muajit korrik, ndërsa stafi edhe më shumë ishte reduktuar pas përfundimit të finales së FA Cup.