
Unitedi ndalet nga Bournemouthi
Manchester United ka luajtur baras me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj Bournemouth në kuadër të javës së 34-të në elitën e futbollit anglez.
Të parët që rrezikuan ishin mysafirët të cilët në minutën e 17-të patën një rast të mirë me Alejandro Garnachon goditja e të cilit shkoi afër shtyllës.
Vendasit golin e epërsisë e shënuan në minutën e 23-të përmes Antoine Semenyo i cili ballë për ballë portierit nuk dështoi të realizojë për rezultatin 1-0.
Në minutën e 38-të Unitedi pati një tjetër mundësi të artë shënimi me Garnachon, por edhe kësaj radhe Kepa Arrizabalaga bëri një super pritje për t’ia mohuar golin.
Bournemouth pati një rast ideal në minutën e 61-të për të dyfishuar epërsinë, por goditja e Dango Ouattars nga gjuajtja e lirë u ndal nga shtylla.
Në minutën e 68-të vendasit morën një goditje të rëndë pasi sulmuesi Evanilson u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë ekipin me një lojtar më pak në fushë.
Rastin më të pastër të shënimi e pati Chidozie Obi i mysafirëve në minutën e 76-të, por njëri nga lojtarët e Bournemouth e largoi topin në çastet e fundit nga vija e portës.
Pas disa përpjekjeve të vazhdueshme, Unitedi e gjeti golin e barazimit në minutën e 96-të përmes Rasmus Hojlund i cili realizoi për 1-1.
‘Djajtë e Kuq’ pas këtij barazimi gjenden në pozitën e 14-të në Ligën Premier me 39 pikë të grumbulluara.