Uniteti i treguar për ushtri të vazhdojë edhe për dialogun me Serbinë
Analisti politik Shkëlzen Maliqi i ka ftuar subjektet politike që unitetin e treguar në Kuvend, për votimin rreth transformimit të FSK-së në ushtri, ta vazhdojnë edhe për çështje të tjera me interes kombëtar. Ai ka deklaruar se konsensusi për çështjen e dialogut me Serbinë ndihmon në rrumbullakimin e shtetndërtimit të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se bojkoti nuk është mjet që ndihmon në zgjidhjen e çështjeve madhore. “Ky lloj i unitetit dhe i përkushtimit do të duhej të ekzistonte edhe për çështje të tjera që i përmendet, e që janë të po kësaj rëndësie për qëllimin e rrumbullakimit të shtetndërtimit të Kosovës. Bojkoti nuk është mjet që ndihmon në zgjidhjen e çështjeve madhore, sepse bëhet fjalë për çështje që kërkojnë koncentrim të votës, e jo për thellimin e përçarjes dhe bllokadës së proceseve që pa dyshim i shpërfaq bojkoti”, ka thënë Maliqi.
Ai ka treguar se subjektet politike në shumë aspekte të procesit të dialogut me Serbinë kanë pajtime. “Nëse shihet se cilat janë qëndrimet e pozitës dhe të opozitës rreth vijave të kuqe që nuk mund të kapërcehen në dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, është e qartë se në vijat e trasha mes tyre ekziston pajtimi. Vetëm LV-ja sikur ka kushtëzime rreth dialogut që e kthen atë në fillim dhe nuk e shtyn drejt finalizimit. Po kështu, ekziston edhe bindja dhe pajtimi se çdo marrëveshje që arrihet në dialog duhet të aprovohet dhe ratifikohet nga Kuvendi, çka nënkupton se edhe mund të refuzohet nëse nuk e mbështet shumica”, ka thënë ai.
Maliqi ka vlerësuar se çështja e dialogut me Serbinë është personalizuar. “Fatkeqësisht, e gjithë beteja rreth dialogut tani është personalizuar për së tepërmi sepse më shumë dalin në sipërfaqe smirat dhe inatet e ndërsjella të treshes Thaçi, Mustafa dhe Kurti, por edhe treshes tjetër Haradinaj, Veseli dhe Limaj, se që këta protagonistë dhe subjektet politike të rreshtuara pas tyre, janë të motivuar për gjetjen e formulës së bashkëpunimit që buron nga interesi kombëtar”, është shprehur Maliqi.
Njohësi i rrethanave politike në vend nuk beson se zgjedhjet e reja tani do të mund të ishin zgjidhja më e mirë. Sipas Maliqit, zgjedhjet janë gjithnjë të mirëseardhura nëse ato çojnë drejt daljes nga kriza dhe premtojnë rezultatin më deciziv në favor të partive në pushtet ose të atyre në opozitë. “Po anketat tregojnë se nuk ka lëvizje të mëdha të disponimit të elektoratit dhe se edhe pas zgjedhjeve të reja të parakohshme do ta kemi skenën pothuajse të njëjtë të përçarë në dy blloqe. Jam skeptik se ato mund të nxjerrin rezultatin me koalicione të reja ‘shpëtimtare’. Nga ana tjetër, është reale frika se do të na rrëshqasë prej duarsh mundësia që ta finalizojmë dialogun me një marrëveshje historike që sforcon shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Maliqi.
“Epoka e re”: Z. Maliqi, kjo legjislaturë arriti që me votat e pozitës dhe të opozitës ta miratojë pakon e projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri. Mirëpo për çështje të tjera LDK-ja dhe LV-ja po i braktisin seancat e Kuvendit. Cili është vlerësimi juaj për situatën politike në vend?
Maliqi: Është shenjë e mirë që për një çështje madhore çfarë është zhbllokimi i krijimit të ushtrisë së Kosovës është arritur uniteti pothuajse absolut ndër deputetët shqiptarë dhe të pakicave, pos atyre serbë. Por ky lloj i unitetit dhe i përkushtimit do të duhej të ekzistonte edhe për çështjet e tjera që i përmendet, e që janë të po kësaj rëndësie për qëllimin e rrumbullakimit të shtetndërtimit të Kosovës. Bojkoti nuk është mjet që ndihmon në zgjidhjen e çështjeve madhore, sepse bëhet fjalë për çështje që kërkojnë koncentrim të votës, e jo thellim të përçarjes dhe bllokadës së proceseve që, pa dyshim, i shpërfaq bojkoti. Pastaj, nëse shihet se cilat janë qëndrimet e pozitës dhe të opozitës rreth vijave të kuqe që nuk mund të kapërcehen në dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, është e qartë se në vijat e trasha mes tyre ekziston pajtimi. Vetëm LV-ja sikur ka kushtëzime rreth dialogut që e kthen atë në fillim dhe nuk e shtyn drejt finalizimit. Po kështu, ekziston edhe bindja dhe pajtimi se çdo marrëveshje që arrihet në dialog duhet të aprovohet dhe ratifikohet nga Kuvendi, çka nënkupton se edhe mund të refuzohet nëse nuk e mbështes shumica. Nëse instanca sovrane e vendosjes mbetet te Kuvendi atëherë nuk e shoh ku është problemi me procesin, pos nëse ai nuk kuptohet si një diktaturë e atyre që mbesin në pakicë.
“Epoka e re”: Pavarësisht PREJ përpjekjeve të shumta, pozita dhe opozita nuk po mund ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për dialogun me Serbinë. Projektrezoluta e PSD-së për dialogun Kosovë – Serbi nuk është votuar në Kuvend, sikurse nuk është votuar as ajo e LDK-së dhe as ekipi negociator i Qeverisë për dialogun me Serbinë. Si duhet të veprohet për arritjen e një konsensusi kombëtar për këtë çështje?
Maliqi: Mendoj se LV-ja dhe LDK-ja janë duke e stërmadhuar problemin e përfaqësimit dhe udhëheqjes të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, si një levë politike që e mënjanon presidentin Hashim Thaçi nga ky proces, por edhe të defaktorizimit të tij të plotë politik. LDK-ja të paktën nuk do të duhej të luante këtë lojë prej hipokriti hakmarrës, sepse Thaçi është bërë president falë votës së LDK-së. Nga ana tjetër, po të isha unë në vendin e presidentit, do të bëja çmos ta arrij kompromisin me opozitën me të cilin do të krijohej hapësirën për një rol dhe përgjegjësi të plotë të opozitës në procesin e dialogut, e që nuk do të dëmtonte as të drejtën kushtetuese dhe ambicien e presidentit që të mbetet pjesë e rëndësishme e dialogut dhe vendimmarrjes. Ndërkaq, opozita sikur qëllimin e ka në përjashtimin e presidentit. Fatkeqësisht, e gjithë beteja rreth dialogut tani është personalizuar për së tepërmi sepse më shumë dalin në sipërfaqe smirat dhe inatet e ndërsjella të treshes Thaçi, Mustafa dhe Kurti, por edhe treshes tjetër Haradinaj, Veseli dhe Limaj, se që këta protagonistë dhe subjektet politike të rreshtuara pas tyre, janë të motivuar për gjetjen e formulës së bashkëpunimit që buron nga interesi kombëtar.
“Epoka e re”: Nëse nuk arrihet një konsensus i tillë, besoni se këtë proces do të mund ta shtyjë përpara vetëm Qeveria me presidentin Thaçi?
Maliqi: Presidenca me Qeverinë e kanë udhëhequr edhe deri më tash dialogun, rezultatet e të cilit janë edhe meritë e LDK-së kur ka qenë pjesë e Qeverisë dhe dialogut. Nëse Qeveria aktuale mbetet në pushtet kështu si është zhargas, sepse nuk po mund ta mbledhë shumicën për mocionin e mosbesimit dhe të rrëzimit të Qeverisë, atëherë ka gjasa që dialogu ta vazhdojë formulën e kompromisit që është arritur te mazhoranca që presidenti Thaçi të dialogojë me presidentin e Serbisë, kurse Fatmir Limaj të jetë koka e dytë e dialogut, edhe pse nuk është bërë e qartë si do të funksionojë ky dualizëm i përfaqësimit. Dhe me që po rrjedh koha që faktorët ndërkombëtarë e kanë parashtruar jo pa arsye, që marrëveshja e mundshme të arrihet deri në pranverë të vitit 2019, nuk po shoh ndonjë alternativë më unifikuese të përfaqësimit. Kjo garniturë Presidencë-Qeveri mund ta propozojë marrëveshjen, por në aktin final duhet të llogaritet edhe participimi i opozitës.
“Epoka e re”: Opozita vazhdimisht po e kërcënon Qeverinë me mocion mosbesimi. Në këto rrethana, cilat janë mundësitë e opozitës me këta numra të rrëzojë këtë Qeveri?
Maliqi: Nëse do të mund t’i mblidhte votat e duhura, opozita tashmë do ta kishte rrëzuar Qeverinë. Por, nuk i ka votat dhe nuk jam i sigurt se do të mund t’i sigurojë.
“Epoka e re”: A janë zgjedhjet zgjidhje në këtë situatë?
Maliqi: Zgjedhjet janë gjithnjë të mirëseardhura nëse ato çojnë drejt daljes nga kriza dhe premtojnë rezultatin më deciziv në favor të partive në pushtet ose të atyre në opozitë. Po anketat tregojnë se nuk ka lëvizje të mëdha në disponimin e elektoratit dhe se edhe pas zgjedhjeve të reja të parakohshme do ta kemi skenën pothuajse të njëjtë të përçarë në dy blloqe. Jam skeptik se ato mund të nxjerrin rezultatin me koalicione të reja “shpëtimtare”. Nga ana tjetër, është reale frika se do të na rrëshqasë prej duarsh mundësia që ta finalizojmë dialogun me një marrëveshje historike që sforcon shtetësinë e Kosovës. Për bllokadë gjithnjë do të ketë mundësi nëse marrëveshja, siç thonë skeptikët, do të jetë e disfavorshme. Por çka nëse tani humbin kohë dhe rrethanat ndërkombëtare në ndërkohë e vështirësojnë pozitën e Kosovës dhe atë marrëveshje të synuar që ia siguron Kosovës anëtarësimin në OKB?
Muhamet KOCI