“Uniteti” merr zyrtarisht fabrikën për riciklimin e mbeturinave
Pas vendimit të marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicë me shumicë votash të asamblistëve dhe vërtetimit të ligjshmërisë së këtij vendimi nga MAPL-ja, sot Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Uniteti”, Gazmend Morina, nënshkruan ‘Kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatshkurtër’.
Me këtë kontratë KRM ‘Uniteti’ merr në shfrytëzim edhe formalisht fabrikën për riciklimin e mbeturinave, e ndërtuar nga Ministria e Ambientit në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës, që është e vetmja e këtij lloji në Kosovë.
Pas funksionalizimit të saj, mbeturinat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt, fillimisht do të trajtohen në fabrikë dhe pastaj vetëm mbetja do të hudhet në deponi. Kështu do të zvogëlohet sasia e mbeturinave që hedhet në deponi dhe do të kontribuohet për një ambient më të pastër, përmes metodave më bashkëkohore perëndimore.
Pas nënshkrimit të kontratës, Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Uniteti”, Gazmend Morina dhe U.D. Zv.Kryeshefit Ekzekutiv, Ylber Murtezaj, vizituan fabrikën për t’u njohur më afër me gjendjen e saj dhe për të bërë planin që fabrika ta filloj punën nga muaji maj.