UNITETI POLITIK NUK U LIHET NË DORË TË PAPËRGJEGJSHMEVE

05 tetor 2018 | 13:29

Shkruan Jakup Krasniqi

Kur një intelektual i dëgjon politikanët e pozitës dhe të opozitës e kupton se ata nuk e njohin as abc-ën e politikës dhe se ata as që kanë lexuar ndonjë libër shkencor të politikës për çka ekziston një literaturë e begatë politike tek ne. Politika është idealizëm, tek ne ishte një kohë. Politika është konsensus, është kompromis, është dhe pragmatizëm, tek ne, politika është vetëm interes meskin dhe luftë për pushtet. Ketë të fundit e shohim të i gjithë spektri politik sot.

Po të ishte politika e organizuar për interesin nacional, ajo në dy çështjet politike të interesit nacional që po diskutohen gjerësisht në medie do të ishte e unifikuar në të dy çështjet:
1. Në çështjen e liberalizimit të vizave, Kosova do të duhej të kishte një zë të unifikuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në zonën shenjen. Pasi edhe kjo pengesë që ka ndodhur deri më sot ka qenë diskriminuese dhe shkelje e rëndë e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Mënyra se si po sillet opozita për ketë çështje, është më shumë se primitivizëm dhe më shumë se diskriminuese. Të gjithë në Kosovë duhet të flasin me një zë për liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodh tani, nesër është vonë. Opozita nuk duhet t’i gëzohet shtyrjes se liberalizimit të vizave ajo duhet t’i ofroj 101 arsyeje pse qytetarët e Kosovës është dashur edhe deri më tani ta kishin ketë të drejtë edhe për faktin se në gjithë vendet e Evropës Juglindore është shteti me numër më të vogël të popullsisë.

2. Pozitë dhe opozitë duhet të formojnë grupin për bisedime dhe strategjinë e çështjeve që duhet të bisedohen për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Konsensusi për ketë çështje është i domosdoshëm që të ndodh, më mirë sot se nesër. Kushdo që të jetë në pushtet, sot apo nesër, konsensusi do të jetë i domosdoshëm. Konsensusi duhet të arrihet në Kuvendin e Kosovës nga GP shqiptare. Nuk është mirë që të humbim shumë kohë për ketë çështje, pasi konsensusi është i domosdoshëm të arrihet, ndonëse normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk varet nga ne, por kjo është tjetër çështje. Çështje që nuk duhet të na vejë në siklet me kohën. Koha e normalizimit të marrëdhënieve nuk duhet të jetë qëllimi, qëllimi është përmbajtja dhe cilësia e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çdo ngutje është për…! Diçka si mënyra e debatit që po zhvillohet për korrigjimin e kufijve a shkëmbimin e territoreve?! Debat që edhe mënyrën e komunikimit nder partiake e ka bërë tërkuzë.
Të përfundojmë, ne si komb, si politikë e njerëz në asnjë mënyre nuk duhet të lejojmë që të papërgjegjshmit, në cilindo nivel të pushtetit që janë, të na jenë mostër për veprimet politike të çakorduara siç janë momentalisht. Përkundrazi, të papërgjegjshmit vetëm konsensusi nacional i nxjerr jashtë ndikimeve politike që janë në interes të vendit e të kombit. Këto çështje kërkojnë qasje serioze nga politika përfaqësuese!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e premte) zhvillohen ndeshjet e xhiros së katërt në…