Universiteti ‘Fehmi Agani’ arrin marrëveshje me Universitetin Sapienza të Romës
Rektori i Universitet “Fehmi Agani” në Gjakovë, Artan Nimani dhe rektorja e Universitetit Sapienza të Romës, Antonela Polimeni, kanë rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes për shkëmbim të studentëve në mes të këtyre dy universiteteve.
Në këtë marrëveshje janë bërë me dije edhe rregullat e procedurave të shkëmbimit të studentëve: Zgjedhja e studentëve – të identifikohen studentët e përshtatshëm për të marrë pjesë në programin e studimeve jashtë vendit; Kohëzgjatja e shkëmbimit nuk duhet të jetë më e shkurtër se tre muaj dhe as më shumë se një vit akademik; Të mbahet një ekuilibër i arsyeshëm në numrin e studentëve të shkëmbyer, dhe me këtë marrëveshje u vendos që numri maksimal i studentëve të jetë katër (ku do të lejohen të marrin pjesë në shkëmbim gjatë çdo viti akademik).
Në bazë të kësaj marrëveshje tarifat e shkollimit do t’i paguhen institucionit të origjinës. Studentët do të përfitojnë nga shërbimet e institucionit pritës si bibliotekat, laboratorët etj. Studentët do të jenë përgjegjës për të paguar të gjitha shpenzimet e tjera duke përfshirë shpenzimet e udhëtimit, ushqimit dhe akomodimit.
Kjo marrëveshje ka një afat prej pesë vitesh dhe mund të zgjatet ose ndryshohet në çdo kohë me marrëveshje të ndërsjellë të palëve.