Universiteti i Gjakovës i bashkohet ‘VALA’-s
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka vendosur t’i bashkohet operatorit publik, VALA, duke nënshkruar një marrëveshje, e cila përfshin marrjen e shërbimeve të “VALA”-s nga ana e stafit menaxhues, profesorëve dhe tërë personelit tjetër administrativ.
Të gjithë zyrtarët e këtij universiteti tash e tutje do të jenë në rrjetin e “VALA”-s duke përdorur numrat “PostPaid”, ndërsa tri objekteve universitare të këtij qyteti, Telekomi i Kosovës do t’u mundësojë telefoni fikse, kabëll optik për shërbime studentore si dhe internet të shpejtë.
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, ka thënë se shërbimet e “VALA”-s janë duke u mirëpritur nga konsumatorët.
“Më gëzon jashtëzakonisht fakti që çdo ditë e më shumë shërbimet tona janë duke u mirëpritur nga të gjithë konsumatorët, ndërsa ardhja e institucioneve akademike në ‘VALA’, është po ashtu një tjetër premisë se rrjeti ynë, që përfshinë produktet dhe internetin e shpejtë, jo vetëm që janë më cilësore, por duhet gjithnjë e më tepër t’i avancojmë”, ka deklaruar Begolli.
Ndërsa, rektor i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza, ka thënë se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe studentët e këtij universiteti.
“Nga dita e sotme do të kemi shumë më të lehtë për të dinamizuar komunikimin brenda institucional, por në anën tjetër nga kjo mundësi teknike e VALA-s, do të përfitojnë edhe studentët tanë nga shpejtësia e internetit që do të na ofrohet”, ka thënë Buza.
/Epoka e re/