Universiteti “Haxhi Zeka” hap konkursin për pranimin e studentëve
Senati i Universitetit ”Haxhi Zeka” në Pejë ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – baçelor në vitin akademik 2018/2019.
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2018/2019, do të regjistrojë 2 417 studentë, prej të cilëve 1 927 studentë të rregullt dhe 490 studentë me korrespondencë.
Mbi numrin e përgjithshëm të studentëve të paraparë si më sipër, Universiteti do të regjistrojë deri në 2% studentë të rregullt që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorëve (anëtarë të familjes së ngushtë të dëshmorëve janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët).
Studentët e kësaj kategorie do të shpërndahen në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin program të fakulteteve veç e veç.
Si shtesë e numrit të përgjithshëm të përcaktuar si në paragrafin 1, bazuar në UA nr. 09/2016 MASHT-it, Universiteti do të regjistrojë deri në 12% studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë.
Kuota prej 12% të vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo-shumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin program të fakulteteve veç e veç.
Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Maqedonia dhe Shqipëria.
Kandidatët të cilët kanë lindur në vendet e sipërshënuara, ndërsa shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Republikën e Kosovës, do t’iu nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova.
Mbi bazë të konsideratave humane, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë rezervon të drejtën e pranimit të kandidatëve me nevoja të veçanta.
Për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve: Paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 09.07.2018 deri më 23.07.2018 nga ora 09:00 deri 15:00 (dokumentet do të pranohen çdo ditë me përjashtim të ditës së diel).
Programet e studimit këtë vit janë: Fakulteti Biznesit, Menaxhment në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, Fakulteti Juridik, Agrobiznes dhe Fakulteti i Arteve.
/Epoka e re/