Universiteti i Mitrovicës përkrah Programin Nacional për Rininë
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” nga e premtja do të jetë pjesë e Programit Nacional për Rininë. Kjo pasi koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit, Alush Musaj.
Me këtë rast, koordinatori Hoti ka thënë se e gëzon fakti që universitetet publike dhe ato private po e mbështesin dhe po e kuptojnë seriozitetin e programit. “Programi Nacional për Rininë është i hartuar ekskluzivisht për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës. Është një mundësi e jashtëzakonshme që u ofrohet studentëve qoftë për të garuar në mes vete, qoftë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e garës. Studentët janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë dhe unë do të angazhohem që ata të kenë hapësirën e munguar. Programi Nacional e ka si synim edhe ngritjen e vetëdijes për punë vullnetare, për të cilën nuk dyshoj se studentët e ‘Isa Boletinit’ do ta bëjnë më së miri”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, rektori Musaj e ka mirëpritur bashkëpunimin me nivelin qeveritar për të mirën e studentëve.
Marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin “Isa Boletini” përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.
/Epoka e re/