Universiteti i Prishtinës bëhet me Qendër për Studime të Avancuara
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të UP-së, është marrë vendimi për themelimin e kësaj qendre, përmes të cilës synohet bashkëpunimi me universitete dhe institute kërkimore për kërkime shkencore elitare.
Krijimi i Qendrës për Studime të Avancuara në Universitetin e Prishtinës e lehtëson procesin e integrimit në nisma rajonale dhe evropiane, të cilat kanë për qëllim kultivimin e një mjedisi të përbashkët për zhvillim të kërkimeve shkencore dhe të aplikuara në zbatim të praktikave më të avancuara akademike.
Qendra do ta stimulojë debatin intelektual dhe akademik të mbështetur në kërkim shkencor të avancuar dhe ndarje të përvojave dhe perspektivave nga kërkues shkencorë nga rajoni dhe kërkues nga e gjithë bota me interesim shkencor në tematikat dhe kontekstin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Si pjesë e shërbimeve që do të ofrojë qendra do të jetë edhe mundësimi i studimeve pasdoktorale për kërkuesit shkencor nga e mbarë bota.