Universiteti i Prishtinës feston 51-vjetorin e themelimit
Me ceremoni solemne, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar 51-vjetorin e themelimit të tij. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm menaxhmenti i UP-së, anëtarët e Këshillit Drejtues si dhe dekanët e njësive akademike.
Ceremonia është hapur me performancën virtuale të “Paganini Etide Nr. 6”, nga studentja Melisa Ibrahimi, së fundi fituese e çmimit të parë në garën ndërkombëtare “International Music Competition Moscow”.
Të pranishmëve në këtë ceremoni me një fjalë rasti është drejtuar rektori Naser Sahiti, i cili ka uruar përvjetorin e 51-të të UP-së, i cili siç ka thënë ai është duke ndodhur në rrethana jo të zakonshme.
“Sot, në rrethana jo të zakonshme, po e shënojmë 51-vjetorin e themelimit të universitetit tonë. Tradicionalisht, kjo ditë bashkon në kampusin e UP-së studentët, stafin dhe partnerët tanë, por në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19, këtë vit po e shënojmë këtë ditë në një formë tërësisht jo të zakonshme”, ka thënë Sahiti.
Ai ka theksuar se kufizimet e pandemisë e kanë penguar, por nuk e kanë ndalur UP-në që të punojë në përgatitjen profesionale të studentëve.
“Tradicionalisht, universiteti ynë ka përfaqësuar dhe promovuar vlerat më të larta të qytetërimit perëndimor, të cilat janë pjesë e natyrshmërisë historike të kombit tonë. Në këtë kontekst, UP-ja vazhdon të ketë rol prijës në lëvizjet shoqërore për demokratizim, zhvillim dhe qëndrueshmëri”, është shprehur rektori Sahiti.
Më tutje, rektori Sahiti, për nder të Ditës së Universitetit, si dhe për të vlerësuar suksesin e studentëve, ka organizuar ceremoni pritëse për studentët e dalluar të të gjitha njësive akademike të UP-së, të cilët i ka shpërblyer me mirënjohje.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e ka miratuar Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.