Universiteti i Tetovës heq nga puna Artan Grubin

09 janar 2025 | 08:08

Universiteti i Tetovës ndërpreu marrëdhënien e punës me Artan Grubit, i cili jepte mësim në Departamentin e Gazetarisë të Fakultetit Juridik të këtij universiteti.

Grubi, i cili shërbeu në detyrën e zëvendëskryeministrit në qeverinë e kaluar të koalicionit mes Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, u arratis nga vendi para tre javësh, ndërsa autoritetet po përgatiteshin për fillimin e një procesi gjyqësor kundër tij, nën akuzat për marrje rushfeti.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës Safet Emruli konfirmoi se vendimi për largimin nga puna të zotit Grubi, u mor për shkak të mungesës paarsye të tij në punë.

“Vendimi i është komunikuar atij zyrtarisht, si me postë ashtu edhe në mënyrë elektronike”, sqaroi dekani Emruli.

Në bazë të ligjit, një punonjës mund të hiqet nga puna nëse nuk paraqitet tre ditë me radhë në vendin e punës, apo pesë ditë përgjatë gjithë vitit dhe mbi mungesën nuk jep asnjë arsye.

Vendimi i fakultetit u përshëndet nga koalicioni i partive shqiptare në qeveri “Vlen”, përfaqësuesit e së cilës thanë se zoti Grubi “nuk i përmbush kriteret morale dhe as profesionale për të dhënë mësim në Universitetin e Tetovës”.

Me 18 dhjetor autoritetet në Shkup njoftuan shpalljen në kërkim ndërkombëtar të zotin Grubi, nën dyshimet për mashtrim me Lotarinë Shtetërore së bashku me ish-drejtorin e saj, Përparim Bajrami. Prokuroria thotë se dëmi i shkaktuar llogaritet në 8.2 milionë euro.

Grubi dhe Bajrami, janë arratisur nga vendi dhe vendndodhja e tyre nuk dihet.

Organet maqedonase filluan hetimet dhe ndjekjen penale pas njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit më 9 dhjetor, se ka përcaktuar ish zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin dhe anëtarin e Gjykatës së Apelit Enver Bexheti, si persona të padëshiruar për shkak të përfshirjes së tyre në akte korrupsioni.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhej se Grubi dhe Bexheti “morën ryshfet duke minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin e Sasha Mijalkovit, ish-drejtor i Agjencisë për Sigurinë dhe Zbulimin në Maqedoninë e Veriut”.

Ish-zëvendëskryeministri nuk ka bërë asnjë deklaratë përveç një postimi në facebook, pasi prokuroria njoftoi më 11 dhjetor se do të hetonte çështjen për rushfet në ngarkim të zotit Grubi dhe zotit Bexheti. Ai tha se po shkëputej nga jeta publike.

Gjatë një qëndrimi së fundmi në Kosovë, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pjesë e së cilës është dhe zoti Grubi, tha se “ai ndodhej diku në trojet shqiptare”.

“Nuk e kam takuar; është mirë. Është një proces që duhet të ketë një epilog. Artan Grubi është i gatshëm të përgjigjet para organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selektive”, tha zoti Ahmeti në ditët e fundit të vitit 2024.

Deklarata e tij nxiti reagimin në Shkup të disa partive politike, një pjesë e të cilave kërkuan që zoti Ahmeti të paraqitej në prokurori për t’u rrëfyer rreth vendndodhjes së Artan Grubit. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga të evakuuarit duke ikur nga zjarret shkatërruese që…