Universiteti ‘Isa Boletini’ anëtarësohet në Asociacionin e Universiteteve Ballkanike
Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’ (UMIB), është bërë anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA) me të drejtë vote.
Në Konferencën që u mbajt në Selanik të Greqisë, për anëtarësimin e UMIB-it kanë votuar në mënyrë unanime të gjithë anëtarët e BUA-së.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Besart Hajrizi, i cili përfaqësoi UMIB-in në këtë konferencë, ka thënë se anëtarësimi në këtë asociacion lehtëson ndërkombëtarizimin e UMIB-it si dhe mundëson bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
“Të qenit anëtar në BUA lehtëson mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve, mundëson organizimin e konferencës vjetore të BUA-së, dhe përgjithësisht mundëson shkëmbimin e përvojave të universiteteve ballkanike”, është theksuar në njoftimin për media të Universitetit të Mitrovicës ‘Isa Boletini’.
Ndër aktivitetet përgjatë tri ditëve të konferencës ishte edhe prezantimi i UMIB-it nga ana e dekanit Hajrizi.
Ai ka folur për zhvillimin dhe konsolidimin e universitetit për një periudhë të shkurtër kohore.
Gjatë takimeve përfaqësues të universiteteve të ndryshme ballkanike, shprehën interesim për realizimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me UMIB.
/Epoka e re/