Universiteti “Isa Boletini” furnizohet me energji elektrike nëpërmjet paneleve solare

05 mars 2020 | 16:45

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Alush Musaj dhe drejtori i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besart Hajrizi, kanë përuruar të enjten projektin e sistemit solar fotovoltaik.

Ky sistem solar që është vendosur sipër objekteve universitare, ka kapacitetin prej 85.4kWp dhe është i përbërë prej 280 paneleve solare.
Rektori Musaj ka thënë se me këtë projekt do të ulen ndjeshëm shpenzimet e energjisë në UMIB.

“Jemi shumë të kënaqur me realizimin e këtij projekti dhe do të provojmë që këtë ta zgjerojmë edhe më shumë në kuadër të kampusit universitar”, ka deklaruar Musaj.

Sipas tij, ky projekt e ka modernizuar edhe më shumë kampusin universitar në Mitrovicë.

Ndërsa, drejtori i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besart Hajrizi, ka pohuar se ky projekt është financuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), si rezultat i memorandumit të bashkëpunimit me UMIB-in.

Sipas tij, përveç ndikimit praktik që ka instalimi i sistemit solar në kampusin universitar të UMIB, ky sistem do të shërbejë edhe për qëllime studimore.

Drejtori Hajrizi ka sqaruar se studentët dhe profesorët do të kenë qasje në hapësirat si dhe në projektin e sistemit solar fotovoltaik.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e…