Universiteti “Isa Boletini” përfiton projekt nga BE-ja
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) është përfitues i projektit “Innovative Teaching Education in Mathematics”, nga programi i Bashkimit Evropian “Erasmus+ Capacity Building in the field of Higher Education”.
Në konzorcium janë universitete partnere nga Greqia, Danimarka, Suedia, Austria, Izraeli , Republika Çeke, Uzbekistani dhe Maqedonia.
Menaxheri i këtij projekti në UMIB, prof. ass. dr. Faton Merovci, ka thënë se ky projekt do t’i ndihmojë universitetit në zhvillimin profesional të stafit në lëndët “Algjebra Lineare” dhe “Kalkulus I”, të cilat në UMIB kanë emërtimet “Matematika 1” dhe “Matematika 2”.
Sipas tij, në kuadër të projektit do të organizohen trajnime dhe vizita në universitetet partnere.
Mervoci ka theksuar se projekti do të ndihmoj profesorët e matematikës në zbatimin e teknikave të reja të mësimdhënies së matematikës dhe përgatitjen e materialeve nga këto lëndë nëpërmjet manualeve dhe video ligjëratave, ku studentët do të kenë qasje. “Ky projekt do ketë impakt jo vetëm se si do të ligjërohet matematika në UMIB, por gjithashtu se si lëndët tjera do të dizajnohen dhe prezantohen tek studentët”, ka thënë Merovci.
Vlera e projektit që do të zgjas tre vjet dhe që financohet nga Bashkimi Evropian, është gjithsej 999,557.00 euro, prej të cilave Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, do t’i realizojë 51,938.00 euro.