Universiteti “Isa Boletini”, pjesë e rëndësishme e zhvillimit minerar në Kosovë
Një delegacion nga Ministria e Financave e Gjermanisë, GIZ-it dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale të Kosovës (KPMM), ka vizituar të martën Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ku janë pritur nga rektori, Alush Musaj si dhe nga dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci.
Në takim u bisedua për zhvillimin e sektorit minerar në Kosovë dhe në veçanti për ndërlidhjen e Universitetit të Mitrovicës me këtë sektor.
Rektori, Alush Musaj, i ka njoftuar mysafirët nga Gjermania për traditën që ka Mitrovica dhe si rrjedhojë tash edhe Universiteti “Isa Boletini” sa i përket edukimit dhe përgatitjes së kuadrove të reja për sektorin minerar. “Shkencat teknike dhe veçmas programet e fushës minerare, kanë një traditë më se 50 vjeçare në Mitrovicë, prandaj kjo na ka ndihmuar që të avancojmë në këtë drejtim dhe të përpiqemi që të jemi në hap me kohën”, ka thënë Musaj.