Universiteti “Isa Boletini” pranohet në Rrjetin Evropian për Integrim Akademik
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është pranuar në Rrjetin Evropian për Integrim Akademik (ENAI).
Për këtë ka vendosur Bordi i Rrjetit Evropian për Integrim Akademik (ENAI), që mbështet nga programi ERASMUSPLUS dhe Unioni Evropian.
Ylber Januzaj, këshilltar i rektorit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” ka thënë se anëtarësimi në këtë rrjet është shumë i rëndësishëm.
“Në këtë rrjet ndërkombëtar bëjnë pjesë universitete me renome botërore, prandaj padyshim se ky është një lajm i mirë për Universitetin tonë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, përfitimet nga ky rrjet janë të shumta. “Bërja pjesë e platformës bashkëpunuese të ENAI-të, e drejta e organizimit të konferencave dhe ngjarjeve të ENAI-të, e drejta e votës së Universitetit në zgjedhjen e bordit të ENAI-të dhe ndikimi i Universitetit në këtë rrjet”, është shprehur Januzaj.
Po ashtu, ai ka numëruar si përfitim edhe përdorimin e konsulentëve, ekspertëve, mentorëve dhe folësve të ENAI-të, mandej informimin mbi mundësitë e granteve në dispozicion, prezencën në aktivitete të përbashkëta edukative dhe trajnuese, përdorimin e sistemit të vlerësimit të zhvilluar nga ENAI, shfrytëzimin e veglave të dobishme të marketingut, qasjen në burime dhe në programe trajnimi online si dhe pranimin e rregullt të lajmeve të reja mbi fushën akademike.
Januzaj ka theksuar se objektiva kryesore e ENAI-të është promovimi i integritetit në fushën akademike.