Universiteti “Kadri Zeka” hyn në grevë
Menaxhmenti i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan pas një takimi që ka pasur me stafin akademik, administrativ dhe Kryesine e Parlamentit Studentor, ka marrë vendim që nga dita e martë të shtyhen të gjitha aktivitetet akademike dhe administrative.
Në këtë takim, rektori i Universitetit, Bajram Kosumi, ka njoftuar lidhur me ngjarjet e fundit rreth pezullimit të programeve të UKZ-së sipas njoftimit të fundit që e ka bërë Agjencia e Kosovës për Akreditim, si dhe rreth kërkesës së konferencës së rektorëve për veprime urgjente në mbrojtjen e sistemit të arsimit të lartë publik nga degradimi.
Grevën e përgjithshme e kanë mbështetur i gjithë stafi akademik, administrativ dhe studentët e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
Me këtë rast UKZ-ja ka formuar edhe Këshillin Grevist.
UKZ-ja ka shtyrë të gjitha aktivitetet akademike dhe administrative për një afat të pacaktuar, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e provimeve të afatit të janarit, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit.
/Epoka e re/