Universiteti “Kadri Zeka” mbështet Programin Nacional për Rininë
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku është takuar me rektorin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi.
Gjatë këtij takimi ata nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, koordinatori Hoti shpalosi Programin Nacional për Rininë dhe shpjegoi garat që do të mbahen për studentët në kuadër të këtij programi.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës. Studentët do të kenë mundësinë të garojnë në dy fusha të këtij programi, në kreativitet kulturor dhe mendim kritik, konkretisht në kategorinë e debatit dhe në fushën e sportit. Pres nga ju mbështetje në realizimin e këtij projekti dhe jo vetëm. Tashmë universitetet dhe kolegjet kanë premtuar se do të ofrojnë studentë vullnetarë për monitorimin e garave nëpër shkolla. Shpresoj shumë që edhe nga Universiteti ‘Kadri Zeka’ të kemi studentë vullnetarë në rolin e monitoruesit të procesit të mbarëvajtjes së garës nëpër shkolla”, ka thënë Hoti.
Ndërsa rektori Kosumi e mirëpriti Programin Nacional për Rininë dhe tha se ky program mbështetet edhe nga Këshilli i Studentëve të Universitetit ‘Kadri Zeka’.
E zëvendësministrja Morina-Bunjaku, tregoi për mbështetjen që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ofron për Programin Nacional për Rininë.
“Ministria jonë e mbështet këtë program sepse përmes tij do të jemi më afër nxënësve dhe studentëve. Besoj që nxënësit dhe studentët e Gjilanit do të dalin të suksesshëm në këto gara”, ka thënë Morina-Bunjaku.
Marrëveshja e bashkëpunimit përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.
/Epoka e re/