Universiteti “Kadri Zeka” nënshkruan marrëveshje me EACEA-n
Rektori i Universiteti i “Kadri Zeka” në Gjilan prof. asoc. dr. Bajram Kosumi, ka nënshkruar marrëveshje me EACEA (Agjencia Ekzekutive e Komisionit Evropian), për projektin milionësh të fituar nga UKZ-ja në programin ERASMUS + Cooperation for Innovationand the Exchange of good Practices, në thirrjen e fundit Capacity Building in Higher Education – Joint Projects, me titull: QUADIC – Quality development of international cooperation and project management.
Me këtë rast, rektori Kosumi ka thënë se, ndihet i lumtur që sot është nënshkruar marrëveshja e projektit në fjalë, derisa ka falënderuar Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të UKZ-së prof. ass. dr. Dukagjin Leka për punën e vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e Universitetit dhe të gjithë partnerët pjesëmarrës në këtë projekt.
Kurse Prorektori Leka duke folur për projektin QUADIC-it, ka thënë se ky projekt që është i pari i këtij lloji në Kosovë, ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve për projektet ndërkombëtare, ku Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në thirrjen e fundit të programit Erasmus + ka aplikuar si koordinator, duke u pranuar kështu suksesshëm.
Ai ka thënë se, kjo dëshmon edhe një herë se kapacitetet e UKZ-së janë të jashtëzakonshme marrë parasysh numrin e personelit që ka, duke argumentuar gjithnjë e më shumë se ndërkombëtarizimi dhe zhvillimi i projekteve janë fushat në të cilat jo vetëm UKZ-ja, por të gjitha universitetet e Kosovës duhet të punojnë dhe të orientohen për të arritur në standardet që kanë universitetet nga Unioni Evropian dhe në këtë mënyrë duke rritur edhe cilësinë në studime.
Ndërsa prof. asoc. dr. Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, ka uruar të gjithë për projektin QUADIC duke e cilësuar mjaft të rëndësishëm.
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan është koordinator i projektit dhe ka gjithsejtë 18 partnerë vendorë, regjional dhe ndërkombëtar, derisa do të financohet nga Komisioni Evropian në vlerë prej 991.381 euro.
Universiteti “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes në projekte, duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe zhvillimit akademik të stafit akademik, administrativë dhe studentëve.
/Epoka e re/