Universiteti ‘Ukshin Hoti’ është mobilizuar për përmbushjen e rekomandimeve për riakreditim
Rektori i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, prof. asoc. dr. Ismet Temaj, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ka folur rreth gjendjes dhe zhvillimeve në këtë universitet.
Ai ka theksuar se janë mobilizuar dhe janë duke punuar për plotësimin e standardeve të akreditimit.
Temaj ka shprehur optimizëm se do t’i tejkalojnë këto sfida, mirëpo ka kërkuar të ketë më shumë mbështetje shtetërore, sidomos rreth buxhetit, pasi arritja e standardeve evropiane të cilësisë kërkon kohë dhe më shumë financa.
“Fillimi i mandatit të rektorit në universitet nga ana ime është përcjellë me vështirësi. Në ditën e dytë të mandatit tim jam përballur me vizitën e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë të caktuar nga Agjencia e Akreditimit për vlerësimin e institucionit për vazhdimin e akreditimit institucional. Ne jemi munduar që ta prezantojmë gjendjen ekzistuese në mënyrën më të mirë të mundshme, mirëpo raporti i grupit të ekspertëve nuk ka qenë tërësisht negativ e as pozitiv, ndërsa Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur për mosakreditim institucional për një vit, në kohën kur pothuajse të gjitha programet janë riakredituar. AKA pak ka qenë kontradiktore në vendimet e veta, duke marrë parasysh edhe faktin se nuk është shqyrtuar fare ankesa e universitetit. Mendoj se mosakreditimi institucional për një vit ka qenë padrejtësi. Ndërsa universiteti vazhdon punën normalisht me vitet e dyta, të treta të katërta dhe në nivelin master në programet përkatëse”, ka thënë Temaj.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)