Universiteti ‘Ukshin Hoti’ është mobilizuar për përmbushjen e rekomandimeve për riakreditim

23 dhjetor 2019 | 13:59

Rektori i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, prof. asoc. dr. Ismet Temaj, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ka folur rreth gjendjes dhe zhvillimeve në këtë universitet.

Ai ka theksuar se janë mobilizuar dhe janë duke punuar për plotësimin e standardeve të akreditimit.

Temaj ka shprehur optimizëm se do t’i tejkalojnë këto sfida, mirëpo ka kërkuar të ketë më shumë mbështetje shtetërore, sidomos rreth buxhetit, pasi arritja e standardeve evropiane të cilësisë kërkon kohë dhe më shumë financa

 “Epoka e re”: Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren sivjet nuk ka pranuar studentë të rinj për shkak të problemeve me akreditim. Si është reflektuar kjo gjendje në universitetin që ju drejtoni?
Temaj: Fillimi i mandatit të rektorit në universitet nga ana ime është përcjellë me vështirësi. Në ditën e dytë të mandatit tim jam përballur me vizitën e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë të caktuar nga Agjencia e Akreditimit për vlerësimin e institucionit për vazhdimin e akreditimit institucional. Ne jemi munduar që ta prezantojmë gjendjen ekzistuese në mënyrën më të mirë të mundshme, mirëpo raporti i grupit të ekspertëve nuk ka qenë tërësisht negativ e as pozitiv, ndërsa Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur për mosakreditim institucional për një vit, në kohën kur pothuajse të gjitha programet janë riakredituar. AKA pak ka qenë kontradiktore në vendimet e veta, duke marrë parasysh edhe faktin se nuk është shqyrtuar fare ankesa e universitetit. Mendoj se mosakreditimi institucional për një vit ka qenë padrejtësi. Ndërsa universiteti vazhdon punën normalisht me vitet e dyta, të treta të katërta dhe në nivelin master në programet përkatëse.

“Epoka e re”: Çka është duke bërë menaxhmenti i ri për tejkalimin e sfidave rreth akreditimit?
Temaj: Krahas punëve menaxheriale që i takojnë një rektorati, jemi mobilizuar për adresimin e kërkesave të AKA-së për riakreditim institucional. Pasi e kam marrë detyrën e kam vendosur si prioritet rritjen e cilësisë dhe ngritjen e universitetit bazuar në standardet e reja të caktuara nga Agjencia e Akreditimit në shtator të vitit 2018, posaçërisht të standardeve evropiane të arsimit të lartë. Kam caktuar një komision punues për hartimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të grupit të ekspertëve ndërkombëtarë, ndërkohë së bashku me organet drejtuese janë caktuar grupet punuese dhe tani jemi në proces të finalizimit të punëve për adresimin e shumicës së rekomandimeve dhe kërkesave për riakreditim institucional. Për punën e kryer me përkushtim i falënderoj të gjithë punonjësit e universitetit. Vlen të theksohet se në këtë proces ndihmë të madhe na ka dhënë, me ekspertët e arsimit të lartë, programi “HERAS” që financohet nga Agjencia Austriake e Zhvillimit dhe bashkëfinancohet nga MAShT-i dhe zbatohet nga konsorciumi WUS Austri, ZSI dhe OeAD, të cilëve u jemi shumë mirënjohës.

“Epoka e re”: A mund t’i tejkalojë këto sfida universiteti me kapacitetet e veta?
Temaj: Në raportin e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë në njëfarë mënyre është rekomanduar riakreditimi institucional, mirëpo është theksuar se nuk është në dorën tonë adresimi i disa problemeve. Neve na duhet mbështetje institucionale nga institucionet qendrore dhe nga lokale për përmbushjen e rekomandimeve. Ajo që është më e rëndësishme, duhet të shtohet buxheti për universitetin. Qeveria duhet të parasheh në Ligjin e ri për Buxhet një fond të veçantë që i ndahet secilit universitet për përmbushjen e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë. Duhet të rritet numri i punëtorëve në stafin akademik dhe administrativ. Na duhet buxhet më shumë për blerjen e librave universitarë, për përkthimin e librave universitarë, qasjen nëpër detabaza të revistave shkencore dhe materialeve të tjera elektronike shkencore, për rritjen e buxhetit për hulumtime shkencore, për rritjen e buxhetit për bursa për studentëve, për investime kapitale dhe për shërbime të tjera që i nevojiten universitetit. Po ashtu, disa vërejtje rreth ndryshimeve statutare nuk janë në kompetencat tona dhe duhet që Kuvendi i Kosovës t’i thjeshtësoje plotësimet dhe ndryshimet statutare. Thjesht, qeveria duhet t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave tona për rritjen e buxhetit në mënyrë që t’i tejkalojmë sfidat e akreditimit, përkatësisht rritjen e cilësisë dhe plotësimin e standardeve evropiane të cilat i ka vendosur Agjencia e Akreditimit në shtatorin e vitit 2018.

“Epoka e re”: Si mendoni se realizohet kjo?
Temaj: Ne shumë shpejt me një shkresë do t’i drejtohemi MAShT-it, qeverisë dhe Kuvendit, në të cilën do t’i njoftojmë me hapat që janë ndërmarrë rreth riakreditimit institucional dhe mbështetjes që kërkojmë nga shteti për plotësimin e standardeve. Ne do t’i takojmë bartësit e institucioneve shtetërore dhe do t’ia prezantojmë gjendjen ashtu siç është, punët që janë bërë dhe që duhen bërë. Presim mbështetje shtetërore.

 “Epoka e re”: A mendoni që Universiteti i Prizrenit duhet të vazhdojë të funksionojë?
Temaj: Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren është universiteti i dytë në Kosovë, ndërsa universiteti i parë i themeluar nga institucionet e shtetit tonë, i vendosur në kryeqytetin kulturor e historik, në Prizren. Mbulon një regjion që është 1/3 e Kosovës dhe, për më tepër, qytetet e shteteve kufitare të regjionit. Po ashtu, Universiteti i Prizrenit është vazhdimësi e shkollës së lartë pedagogjike që ka nisur punën në vitin 1961, fillimisht si degë e Prishtinës, ndërsa më 1963 është pavarësuar dhe ka funksionuar si Shkollë e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”. Kjo ka qenë me renome dhe është e njohur për cilësinë e kuadrove që ka nxjerrë.

“Epoka e re”: Mbizotëron debati që të ketë fuzionim ose profilizim të universiteteve ekzistuese. Si i komentoni këto?
Temaj: Ne jemi për profilizim të universiteteve, që t’u përgjigjen kërkesave të tregut të regjionit që mbulojnë edhe me programe, edhe me numër të studentëve. UPZ e ka Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit që s’i ka asnjë universitet si ne, po ashtu edukimin që ka një traditë dhe që ofron mësimin në tri gjuhë, krahas disa drejtimeve në fakultetet e tjera, pastaj e kemi Fakultetin Ekonomik me programe komfor kërkesave të tregut dhe me numër modest, që më shumë prodhon kuadro cilësore sesa sasi. Po ashtu, Drejtimin e Gjuhës Gjermane dhe Gjuhës Angleze dhe programet e tjera të Filologjisë, pastaj Fakultetin Juridik me numër modest të studentëve. Ne jemi për profilizim dhe do ta bëjmë këtë bazuar në afat kohor të riakreditimit të programeve.

 “Epoka e re”: Çfarë dëshironi të shtoni?
Temaj: Menaxhmenti dhe të gjithë punonjësit e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren janë mobilizuar për adresimit e sfidave të akreditimit. Ne jemi duke punuar që t’i plotësojmë të gjitha kushtet e kërkuara. Presim mbështetje nga MAShTi, qeveria, pushteti lokal, Kuvendi, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që UPZ të vazhdojë të funksionojë dhe të marrë mbështetjen e nevojshme për zbatimin e standardeve të cilat kërkojmë punë nga ne, më shumë kohë dhe më shumë buxhet nga shteti.

Faton DËRMAKU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubit të Prodhuesve të Kosovës i është ndarë çmimi “Mik…