Universiteti “Ukshin Hoti” ka hapur konkursin për pranimin e studentëve për vitin akademik 2020-2021
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për Vitin Akademik 2020/2021, do të regjistroj 1680 studentë, prej të cilëve 1630 studentë të rregullt dhe 50 studentë me korrespondencë.
Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, me këtë rast theksoi se Universiteti sivjet i pret studentët me kushte shumë më të mira në të gjitha aspektet.
Siç dihet universiteti është riakredituar dhe në bazë të vlerësimit të grupit të ekspertëve ndërkombëtar është institucioni që i plotëson kushteve më së miri në bazë të standardeve evropiane.
Në kuadër të numrit të përgjithshëm të përcaktuar si në paragrafin 1, bazuar në UA nr. 09/2016 të MASHT-it, Universiteti do të regjistrojë deri në 12 %, përkatësisht deri 204 studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë. Kuota prej 12% të vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo-shumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.
Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen deri në 3% përkatësisht deri 48 kandidatë të cilët kanë lindur në vendet jashtë Kosovës (Shtetas te Huaj dhe nga trojet Shqiptare ), ndërsa shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Republikën e Kosovës, do t’iu nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova.
Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit, bëhet prej 21.09.2020 deri më 30.09.2020, nga ora 09:00-15:00 (ditë pune) ditën e fundit dokumentet pranohen deri ora 16:00. Provimi pranues do të mbahet më 02.10.2020, duke filluar prej orës 09:00.
Programet e Studimit në Vitin akademik 2020/2021 në Universitetin “Ukshin Hoti” dhe të gjitha kushtet e konkursit mund t’i gjeni në webfaqen e universitetit, uni-prizren.com.