UP-ja bën konsultimet online mes studentëve dhe profesorëve
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se tashmë konsultimet ndërmjet studentëve dhe profesorëve mund të mbahen online.
“UP-ja ka shënuar hapin e radhës drejt digjitalizimit të shërbimeve për studentët dhe stafin e tij. Në kuadër të SEMS-it, është integruar ‘moduli i konsultimeve’. Ky modul inovativ siguron që studentët të marrin shërbime më të mira, më të qasshme dhe praktike në lidhje me procesin e konsultimeve”, ka njoftuar UP-ja.
Universiteti i Prishtinës ka theksuar se përmes kësaj mundësie, studentët mund të lidhen lehtësisht me profesorët e tyre, të planifikojnë konsultimet dhe të diskutojnë shqetësimet akademike në mënyrë më efikase.
“Kjo qasje bashkëkohore, jo vetëm që thjeshton procesin e konsultimeve, por gjithashtu pasuron përvojën e të mësuarit njësoj për studentët dhe fakultetet”, ka njoftuar UP-ja.