UP-ja do t’i hulumtojë rastet e ngacmimeve seksuale
Shumë shpejt Universiteti i Prishtinës (UP) do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale.
Këtë e ka bërë të ditur për “Radio Kosovën” zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni. Ndërkohë, ekspertët thonë se studentët duhet të vetëdijesohen për denoncimin e rasteve.
Hyseni ka thënë se në kuadër të Rregullores për parandalimin e ngacmimeve seksuale, së bashku me prorektoren Njomza LLullaku dhe me mbështetjen e menaxhmentit, janë përgatitur pyetjet dhe janë në përfundim të metodologjisë së hulumtimit, ku fokus i pyetësorit janë studentët.
“Nuk do të kenë as emër e as mbiemër. Neve na duhen vetëm të dhënat nga terreni, për të parë gjendjen faktike. Po bëhet një hulumtim për herë të parë për sa i përket kontekstit të ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Do të ketë edhe një raport final, ku besoj se deri në muajin qershor do të realizohet. I kemi formuar grupet punuese, të cilët do të punojnë për të mbledhur të dhënat dhe për ta çuar deri në fund këtë kauzë dhe ta vërtetojmë nëse është fenomen i dukshëm në UP”, ka thënë ajo.
Hyseni ka bërë me dije se nga viti i kaluar e deri tani janë raportuar pesë raste të ngacmimeve në Universitetin e Prishtinës. Më tutje, ajo ka sqaruar se me Rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në universitet, përcaktohen edhe procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla.
“Për vitin 2022, ka qenë numri katër, ndërsa në vitin 2023 kemi një rast. Këshilli i Etikës ka marrë tri vendime, ndërsa në procedurë janë dy. Gjithashtu është edhe vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës për rastin e fundit ndaj profesorit Betim Bejta”, ka thënë ajo.
Ndërsa drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë për “Radio Kosovën” se ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës në një përgjigje përmes adresës elektronike, ka bërë me dije se numri i përgjithshëm i rasteve nga vepra penale “ngacmimi seksual” për vitin 2022 ishte 91.