UP-ja e nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” profesorin Sean D. Murphy
Universiteti i Prishtinës i ka ndarë titullin “Doktor Nderi” profesorit Sean D. Murphy. Ky titull, i akorduar nga Senati i UP-së, iu dha atij për kontributin në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe për avancimin e paqes dhe drejtësisë përmes së drejtës ndërkombëtare.
Në ceremoninë solemne të pranishëm ishin studentë, drejtues të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues nga institucione partnere dhe personalitete nga fusha e ligjit dhe drejtësisë.
Fjalën hyrëse në këtë ceremoni e adresoi rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili tha se është nder i veçantë që t’ia ndajë titullin e nderit profesorit Murphy.
“Si rektor i UP-së, dhënia e këtij titulli më mbush plot nder. Puna dhe jeta e tij janë pishtarë për të na siguruar se drejtësia mbizotëron”, ka theksuar Qerimi. Në fjalën e tij, ai lartësoi punën, por edhe personalitetin e profesorit Murphy.
“Një studiues i dalluar, një shërbyes publik i përkushtuar dhe një shembull i ndershmërisë, profesori Murphy na paraqitet si dëshmi e ndikimit të transformueshëm që një person mund të ketë në botë. Duke i dhënë diplomën e nderit, ne festojmë arritjet e tij të jashtëzakonshme dhe marrim mësim të çmuar nga jeta e tij dhe kontributi për komunitetin tonë”, është shprehur rektori Qerimi.
E për shpërblimin me titullin e nderit të UP-së, laureati Sean D. Murphy u shpreh mirënjohës.
Ai me të pranishmit ndau përvojën në përfshirjen e tij në momente historike për popullin e Kosovës.
Sipas tij, ndonëse e vogël gjeografikisht, Kosova është një vend i veçantë në krahasim me vendet e tjera të botës. “Shpesh u them studentëve të juridikut, që nëse kërkoni një vend ku është shënuar kthesa më e madhe e këtij shekulli në fushën e së drejtës ndërkombëtare, ajo është Kosova”, ka pohuar Murphy.
Ai shtoi që është shumë mirënjohës dhe falënderues që UP-ja ia ka ndarë këtë titull nderi. “Unë me krenarinë më të madhe e pranoj këtë”, ka theksuar Murphy.