UP-ja lanson planin e veprimit për barazi gjinore

11 dhjetor 2023 | 13:35

Universiteti i Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, ka lansuar planin e veprimit për barazi gjinore 2023/4-2026.

Në këtë aktivitet është thënë se ky plan do ta eliminojë pabarazinë në jetën akademike, do të ketë gjithëpërfshirje dhe do të luftojë stereotipet.

Rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka thënë se përfshirja e grave në postet drejtuese në UP është e një rëndësie të veçantë.

Ai ka thënë se angazhimi për barazi gjinore shtrihet edhe në pjesën qenësore të kurrikules në mënyrë që barazia dhe diversiteti gjinor të integrohen si vlera thelbësore të programeve arsimore.

“Përfshirja e grave në postet drejtuese në UP është e rëndësisë të veçantë. UP-ja njeh talentin dhe ekspertizën dhe perspektivën që sjellin gratë me angazhimin e tyre në botën universitare dhe universin e dijes si tërësi. Duke promovuar dhe fuqizuar në mënyrë aktive gratë në rolet drejtuese ne pasurojmë proceset tona të vendimmarrjes, forcojmë strukturën e institucionit tonë, zgjerojmë horizontet e ideve dhe realizojmë dhe ruajmë rezultatet e idealit tonë kolektiv për një mjedis të barabartë për të gjithë. Angazhimi ynë për barazi gjinore shtrihet po ashtu në pjesën qenësore të kurrikula që ne hartojmë në mënyrë që të integrojmë barazinë dhe diversitetin gjinor si vlera thelbësore në programet tona arsimore. Është jetike që studentët tanë të edukohen me përmbajtje që mishëron gjithëpërfshirje dhe sfidon sterotipet”, ka thënë ai.

Miratimin e këtij plani të veprimit e ka mirëpritur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se do të përmirësojë qasjen në arritjen e barazisë gjinore në Universitetin e Prishtinës.

Në anën tjetër, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se kjo iniciativë shënon një përpjekje shumë të madhe për arritjen e barazisë gjinore në jetën akademike.

Hartimi i këtij plani është bërë në bashkëpunim në mes të Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të zyrës së kryeministrit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. /KP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut…