UP-ja me procedurë të re gjyqësore kundër Kishës Ortodokse Serbe

14 nëntor 2017 | 22:58

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka konfirmuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin hapësira prej 4 hektarësh brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i takon Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht kishës “Shën Nikolla” në Prishtinë. Aktvendimin tashmë e ka marrë Universiteti i Prishtinës , konfirmojnë zyrtarët e Rektoratit të këtij universiteti.

Pikërisht, në hapësirën e kontestuar nga Universiteti i Prishtinës, gjatë viteve 90 -të të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, kishte nisur ndërtimi i kishës “Krishti shpëtimtar”, e cila nga shqiptarët e Kosovës shihet si objekt i ndërtuar me qëllime politike.

Universiteti i Prishtinës konsideron që hapësira në të cilën është ndërtuar kisha, është në shfrytëzim nga universiteti, tash e 50 vjet me radhë.

Në vitin 2012, Universiteti i Prishtinës, kishte nisur procesin gjyqësor për pronësinë e tokës, gjegjësisht kërkesën që toka e kontestuar t’i kthehet nën pronësi Universitetit.

Më 26 dhjetor të vitit 2015, Universiteti i Prishtinës kishte marrë një aktvendim të parë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku konsiderohej e tërhequr padia e Universitetit të Prishtinës kundër të paditurës Kishës ortodokse “Shën Nikolla”, për vërtetim të pronësisë. Për faktin se në seancën gjyqësore kishte munguar përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Gjykata Themelore kishte konfirmuar pronësinë e Kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla”.

Sekretari i përgjithshëm i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se në kohën kur ka arritur ftesa nga Gjykata Themelore, në Universitet ka pasur protesta të studentëve, të cilat kanë pamundësuar rrjedhjen normale të informimit për ftesën nga gjykata. Rrjedhimisht, Universitetit i ka ikur data për t’u paraqitur në gjykatë.

“Ne menjëherë kemi dërguar reagimin tonë, sipas ligjit siç parashihet, për ta arsyetuar mungesën tonë në këtë seancë. Fatkeqësisht kjo nuk është marrë në konsideratë dhe nxirret një vendim më 18 janar 2016, ku hidhet poshtë kërkesa e paditësit për të qenë në gjendjen e mëparshme. Njëkohësisht kemi dërguar edhe në Gjykatë të Apelit një kërkesë të tillë, e cila tani ka ardhur, me datën 31 nga Gjykata e Apelit, e cila po ashtu e hedhë poshtë, si të pabazuar, ankesën e përfaqësuesit, me arsyetim që nuk ka mundur të marrë pjesë. E vërtetoi vendimin e shkallës së parë, të Gjykatës Themelore”, thotë Kelmendi.

Megjithatë, Kelmendi thotë se ende nuk ka përfunduar e gjithë çështja dhe se Universiteti deri në fund të kësaj jave do të kërkojë që procesi gjyqësor të kthehet në pikën zero.

“Menaxhmenti aktual, përsëri do ta iniciojë procedurën pranë Gjykatës Themelore. Do të ngritë padi të re, sepse fatmirësisht, hedhja poshtë e padisë nuk nënkupton humbjen e të drejtës për padi të re. Universiteti i Prishtinës është duke e përgatitur dosjen dhe besoj që deri në fund të javës do ta kemi padinë e re pranë gjykatës kompetente, për të kërkuar të drejtën tonë, në mënyrë që kjo pronë e uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme, t’i kthehet në shfrytëzim UP-së dhe studentëve të saj”.

Siç thotë Kelmendi, gjatë kohës sa ka zgjatur kontesti gjyqësorë, Universitetit të Prishtinës i është dashur të shmangë një varg projektesh për ndërtimin e objekteve të ndryshme në kampusin e saj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe nuk kanë dashur ta komentojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, e as paralajmërimet e Universitetit të Prishtinës për inicimin e një procesi të ri gjyqësor, por kanë theksuar se dëshirojnë që kjo çështje të rregullohet paqësisht.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, kanë reaguar drejtuesit e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Përmes një komunikatë ata e kanë thënë se “legjitimimi i veprimeve të paligjshme të periudhës së Millosheviqit, në rastin e pronës së Universitetit të Prishtinës, por edhe në raste të tjera të ngjashme, është turp për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Gjithashtu, drejtuesit e këtij Fakultetit Filozofik, e kanë kritikuar menaxhmentet e Universitetit të Prishtinës , të viteve 2015 deri 2017 për, siç thuhet, papërgjegjësi, e cila “është e patolerueshme, si dhe dëmton pronën dhe kredibilitetin” e Universitetit.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtiinë, përmes…