UP-ja mohon se Isa Mustafa është paguar pa mbajtur mësim nga viti 2016-të
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka reaguar ndaj raportimeve të disa medieve se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, është paguar nga viti 2016 pa mbajtur mësim.
Në reagimin e UP-së është thënë se Mustafës nuk i është ekzekutuar asnjë pagesë.
“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ reagon ndaj qarkullimit në medie dhe në platforma të tjera online, të një lajmërimi që prof. dr. Isa Mustafa është duke u paguar nga ana e UP-së pa mbajtur mësim. Me anë të këtij sqarimi për medie dhe për opinion publik, informoheni që profesor Isa Mustafës nuk i është ekzekutuar asnjë pagesë nga UP-ja që nga dhjetori i 2016-tës”, është thënë në reagimin e UP-së.
Sipas këtij reagimi, Universiteti i Prishtinës mbetet i hapur për bashkëpunim me mediet dhe akterët e tjerë, për të hedhur dritë në të gjitha çështjet me interes për opinionin.