UP-ja organizon ligjëratë nderi për zbulimin arkeologjik në Ulpianë (Iustiniana Secunda)
Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka mirëpritur në takim arkeologun e mirënjohur francez nga École Normale Supérieure dhe CNRS në Paris, prof. Christophe J. Goddard, profesorin Arben Hajdari nga Departamenti i Historisë dhe Antropologjisë së UP-së dhe Milot Berishën nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Prof. Goddard po qëndron në Kosovë, ku është ftuar në ligjëratën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës në nderim të zbulimit të fundit arkeologjik të përmasave historikë, jo vetëm për Dardaninë, por për tërë historinë e periudhës romake dhe atë të sundimit të Perandorit Justinian.
Në kuadër të kësaj ligjërate u prezantuan për herë të parë për publikun rezultatet e kërkimeve të fundit ndërdisiplinore arkeologjike të kryera në Ulpianë nga një ekip arkeologësh dhe studiuesish, vendas dhe ndërkombëtarë, të udhëhequr nga Arben Hajdari (UP), Christophe J. Goddard (AOROC-CNRS-ENS) dhe Milot Berisha (IAK).
Në këtë rast u prezantua për herë të parë dedikimi unik i themelimit të një qyteti (Iustiniana Secunda) nga perandorit Justinian dhe gruaja e tij Theodoras, zbuluar së fundmi në Iustiniana Secunda (Ulpianë), dokument ky me rëndësi dhe vlerë të veçantë historike, jo vetëm për Kosovën e rajonin, por për mbarë botën romake.
Të pranishëm në ligjëratë ishin edhe ambasadorë, profesorë, studiues e studentë të arkeologjisë dhe të drejtimeve të tjera.
Rektori Qerimi, në shenjë vlerësimi, i ndau mirënjohje prof. Christophe J. Goddard, me motivacionin: “Mirënjohje për angazhim dhe kontribut të veçantë në avancimin e dijes arkeologjike në Kosovë, si dhe për rolin e rëndësishëm në edukimin dhe formimin e kuadrove të rinj në këtë fushë”.
Po ashtu, në emër të UP-së, mirënjohje iu nda edhe prof. Arben Hajdarit dhe z. Milot Berisha me motivacionin: “Mirënjohje për angazhim dhe kontribut të veçantë në avancimin e dijes arkeologjike në Kosovë, si dhe për rolin e rëndësishëm në edukimin dhe formimin e kuadrove të rinj në këtë fushë”.
Kjo ligjëratë është vazhdimësi e organizimeve të ngjashme në funksion të krijimit të një forumi dhe ofrimit të një platforme për paraqitjen dhe vlerësimin e rezultateve origjinale kërkimore dhe kontributeve me peshë shkencore të stafit akademik të UP-së dhe bashkëpunëtorëve e partnerëve të tyre.