UP-ja pezullon profesorin Xhevat Krasniqi pas dyshimeve për ngacmime seksuale
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pezulluar nga puna profesorin e Fakultetit të Mjekësisë, Xhevat Krasniqi, i cili dyshohet për ngacmim seksual ndaj disa studenteve të tij.
“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xh.K. me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, ka njoftuar UP-ja.
Këshilli i Etikës pas intervistimit të pestë dje gjatë ditës, ka dorëzuar rekomandimet ndaj rektorit Qerim Qerimi, duke kërkuar pezullimin e profesorit në fjalë “derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”.
Dje studentët dhe aktivistët kanë bllokuar sallën koncertale të Universitetit të Prishtinës, duke ia pamundësuar daljen nga kjo sallë Këshillit të Etikës si dhe profesorit Krasniqi. UP ka reaguar duke e quajtur rastin “sulm i ashpër, pa arsye dhe në baza personale” për ndalimin e anëtarëve të Këshillit.
“Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së”, ka njoftuar UP-ja.
Më 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së.
Xhevat Krasniqi dyshohet për ngacmim seksual, teksa deri më tani janë dorëzuar 27 denoncime të studentëve ndaj tij.