UP-ja promovon veprimtarinë e vetë botuese në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik e Shkencor në Tiranë
Universiteti i Prishtinës ka promovuar suksesshëm veprimtarinë e vet botuese në Panairin III Mbarëkombëtar të Librit Akademik e Shkencor në Tiranë, përmes prezantimit të botimeve të veta, që përfshijnë libra universitarë, monografi shkencore e fjalor enciklopedik unik, të cilat mbulojnë një spektër të gjerë të fushave si shkencat e natyrës, filologjinë, jurisprudencën, mjekësinë, edukimin e të tjera, që kanë tërhequr interesimin e komunitetit shkencor dhe vizitorëve të shumtë të panairit.
Në një aktivitet të veçantë, në kuadër të panairit, Universiteti i Prishtinës ka promovuar librin E Drejta e përmbarimit, të autorit prof. dr. Iset Morina, Fakulteti Juridik, si dhe librin Qëndrueshmëria mjedisore dhe edukimi për zhvillim të qëndrueshëm, të autorit prof. dr. Zeqir Veselaj, Fakulteti i Edukimit.
Promovimin e drejtoi prorektori për personel akademik, integritet dhe botime i UP-së, prof. dr. Faton Berisha, i cili në fjalën hyrëse shprehu vlerësimin për panairin dhe theksoi rëndësinë e librit shkencor si instrument krucial për transmetim e promovim të dijes e shkencës, si dhe përgëzoi stafin akademik dhe hulumtuesit e universitetit për punën ekzemplare që u prezantua në këtë panair, ndërkaq me një fjalë përshëndetëse u paraqit edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, që shprehu kënaqësinë që po merrte pjesë në promovimin e punës shkencore të profesoratit të Universitetit të Prishtinës.
Libri E Drejta e përmbarimit, i cili u promovua nga recensenti prof ass. dr. Ardrit Gashi, është një tekst voluminoz, i organizuar në 25 kapituj, që ka ardhur si aktivizim i autorit për ta plotësuar mungesën e literaturës në gjuhën shqipe të fushës përkatëse, qoftë për studentët, qoftë për praktikuesit e drejtpërdrejtë të rregullave të përmbarimit.
Njohësit e jurisprudencës, përkitazi me këtë libër, kanë vlerësuar se qasja profesionale dhe akademike e autorit ka prodhuar një tekst unik që ofron qasje bazike, konceptuale dhe shpjeguese të masave dhe zbatimit të përmbarimit dhe detaje të tjera, të shumëpritur nga studentët dhe i tërë komuniteti akademik dhe ai nga sistemi gjyqësor.
Ndërsa, libri Qëndrueshmëria mjedisore dhe edukimi për zhvillim të qëndrueshëm, që u promovua nga recensenti prof. asoc. dr. Mihallaq Qirjo, është tekst që trajton një prej sfidave më të mëdha, me të cilat po përballet planeti sot: zhvillimi i qëndrueshëm. Ekspertët vendorë dhe ata ndërkombëtarë kanë konkluduar për këtë libër se autori, përmes kombinimit të aspekteve akademike të fushës së mjedisit me aspektet e mësimdhënies dhe të nxënit, ka ofruar një tekst që do të shërbejë si platformë kredibile për adresimin e çështjeve të qëndrueshmërisë ekologjike dhe edukimit të vazhdueshëm për mjedisin.
Theksojmë se për të tretin vit me radhë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ftuar dhe po merr pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, që është projekt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit – Tiranë.
Në panairin e këtij viti, Universiteti i Prishtinës i ka prezantuar 20 botime akademike, të botuara ndërmjet dy panaireve, trembëdhjetë nga të cilat i ka përkrahur financiarisht, përmes një projekti financimi që ka për qëllim pikërisht nxitjen dhe përkrahjen e stafit akademik dhe hulumtuesve tanë për t’i konsideruar tekstet universitare si opsion për prezantimin e të arriturave të tyre shkencore.