UP-ja refuzon doktoranten e Oxford-it për ta pranuar në punë gruan e deputetit të LV-së

17 korrik 2022 | 15:25

Iliriana Blakaj është kandidate për doktoraturë në një nga universitetet më të mira në botë, atë të Oxfordit në Britani të Madhe, por kjo nuk ka mjaftuar që të punësohet si asistente në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik, Departamentin e Antropologjisë.

Në vend të saj është punësuar Yllka Syla-Uka, gruaja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka. Yllka ka studiuar në Universitetin e Tiranës, një nga universitetet më të dobëta në botë. Në ranglistat që listojnë universitetet nëpër botë, Universiteti i Tiranës është i 3 mijë e 786-ti me radhë. Për ta kuptuar sa keq është kjo, Universiteti i Prishtinës është 759 vende më lartë.

Pozita e hapur për asistente si bashkëpunëtore e jashtme, ishte për lëndët “Studimet e familjes në perspektivën krahasuese”, “Antropologji e gjinisë”, “Migrimi dhe siguria sociale”, “Antropologji urbane”, “Antropologji e ushqimit”, “Veshjet dhe identiteti”.

Grada shkencore e Yllka Syla-Uka, ndryshe nga Iliriana Blakaj që është kandidate për doktoraturë në Oxford është master i arteve.

Komisioni Vlerësues që ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve përbëhej nga profesorët Tahir Latifi e Arsim Canolli dhe asistenti Durim Abdullahu.

Sipas dokumenteve të publikuara, dy kandidatet Ilirjana Blakaj dhe Yllka Syla-Uka, çuditërisht ishin vlerësuar si kandidat të barabarta.

Më pas, sipas rregullores, “kur ka më shumë se një kandidat për pozitës përkatës i plotëson kriteret e përzgjedhja bëhet kandidati më përvojën më të gjatë në fushën përkatëse”.

Edhe në këtë pikë Blakaj plotësonte kushtin meqë ajo vazhdon studimet në doktoraturë, derisa Syla-Uka është vetëm me master.

Përkundër kësaj, komisioni kishte vendosur t’ia jap pozitën gruas së deputetit Uka, i cili gjithashtu është i angazhuar si ligjërues në UP.

Një nga anëtarët e komisionit vlerësues, Arsim Canolli, kishte argumentuar, duke u bazuar në rregullore, se pozita i takon Blakajt, madje kishte bërë një argumentim të gjatë me shkrim.

“Duke vlerësuar përvojën më të gjatë në fushën përkatëse, që për mua është fusha e antropologjisë, jo mësimdhënia, mendoj se kandidatja Iliriana Blakaj, ka afër tetë vjet përvojë në kuadër të kohës së projekteve të realizuara, ndërsa kandidatja Yllka Syla-Uka ka vetëm katër vjetër përvojë në fushën përkatëse. Unë propozoj kandidaten Ilirana Blakaj për bashkëpunëtore të jashtme për ushtrimet në lëndët e shpallura me konkurs për pozitën 17”, ka shkruar Canolli në arsyetim.

Përkundër ankesës së detajuar të Canollit, vendimi i datës 7 korrik 2022 doli me emrin e gruas së Fitim Ukës si e angazhuar nga Universiteti i Prishtinës.

Blakaj, pasi ka parë vendimin për mospranimin e saj, pakënaqësitë i ka adresuar në llogarinë e saj në “Facebook”.

“Dua të qartësoj se lufta nuk është assesi personale dhe realisht nuk kam asgjë kundër askujt në këtë proces. Kauza që duhet ta ngjallim duhet të jetë kundër sistemit të instaluar në UP, kundër burokracive të tilla, kundër rregulloreve të tilla që qëllimisht nuk lejojnë që Universiteti jonë të pasurohet me staf që mund të kontribuoj në shkencë e në edukimin e gjeneratave të reja. Kjo kauzë është për ndryshimin e sistemit arsimor në Kosovë. Është për Universitetin tonë”, ka shkruar Blakaj.

Postimi i plotë:

Në fillim të muajit Qershor aplikova në konkursin e hapur të Fakultetit Filozofik për pozitën e bashkëpuntores së jashtme në ushtrime në Departamentin e Antropologjisë dhe disa ditë më parë, në vendimin e publikuar të Këshillit, e kuptova se nuk jam pranuar për këtë pozitë, për çfarë kam dorëzuar një ankesë në adresë të Këshillit të Fakultetit Filozofik.

Ankesa ime i adreson edhe disa parregullsi dhe shkelje të Rregullores 1/95, gjegjësisht, “Rregullorja e procedurave vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në Universitetin e Prishtinës”, për të cilat nuk do të diskutoj kësaj radhe, sepse shpresoj, siç edhe besoj se ato shkelje duhet të adresohen. Një prej këtyre shkeljeve është përfshirja e një asistenti të angazhuar në komision, që nuk lejohet nga Rregullorja.

Megjithatë, pika kryesore e ankesës time ka të bëj me një aspekt tjetër që e përmban kjo Rregullore, aspekt që ka ndikuar që dy anëtarë të Komisionit vlerësues të mos më propozojnë si kandidaten e duhur për këtë pozitë. Megjithatë, një prej anëtarëve të Komisionit më ka propozuar dhe krahas propozimit të tij, profesori ka bashkangjitur edhe një arsyetim të gjatë e të hollësishëm që e kundërshton propozimin e të parëve, por ky arsyetim nuk ka arritur ta bindë Këshillin. Krejt këtë proces mund ta gjeni në linkun më poshtë.

Puna qëndron kështu: Rregullorja parasheh se nëse dy kandidatë janë të barabartë në plotësimin e kritereve të përgjithshme, atëherë jepen kriteret specifike për prioritizim të kandidatëve konkurrues të cilat i gjejmë në paragrafin 4 të nenit 7 të kësaj Rregulloreje. Dhe një prej këtyre kritereve specifike qartëson se përparësi ka kandidatja me përvojën më të gjatë në “fushën përkatëse”. Komisioni vlerësues dhe Këshilli e kanë interpretuar termin “fushë përkatëse” si përvojë në aktivitet mësimor, ose në dhënien e ushtrimeve, diçka që kandidatja tjetër e posedon. Por “fusha përkatëse” nuk i referohet përvojës si asistente në ushtrime, por fushës së antropologjisë. Kjo kuptohet fare lehtë nga përdorimi i termit “pozitë përkatëse” në këtë Rregullore- që i referohet pozitës së bashkëpunëtorit të jashtëm për ushtrime. Dhe në këtë rast, përvoja ime 8 vjeçare në fushën e antropologjisë, projekteve, studimeve, punës në institucione, e tejkalon përvojën e të gjithë kundërkandidatëve të mij në këtë proces.

Problemi real me këtë Rregullore dhe interpretimin që i është bërë asaj, është se duket se e njëjta është shkruar apriori për t’i lënë në disavantazh të rinjtë me përvojë që shkollohen në shkolla me renome botërore, e që duan t’i kthehen UP-së për të kontribuuar për departamentet e fakulteteve. Rregullorja nuk prioritizon, për shembull, kandidatët që janë duke përfunduar PhD, ose kandidatët që kanë botime e kontribute reale në shkencë (dhe këtu prap kam përparësi reale krahas kundërkandidatëve të tjerë), por me terma të padefinuar e qëllimisht të paqartë, kjo Rregullore favorizon personelin akademik ekzistues, edhe kur kandidatët e rinj mund të jenë të duhurit për pozitën e asistentëve. Nëse kriter është përvoja në ligjërim, si do të mundemi të fillojmë ndonjëherë përvojën tonë në Universitet të Prishtinës?

Në rastin tim personal, fakti që jam kandidate Phd në Universitetin e Oxford-it, fakti që kam më shumë përvojë në fushën përkatëse, fakti që kam botime, fakti që kam përvojë në asistim ligjërim në Universitetin e Oxford-it nuk krijon asnjë përparësi ndaj faktit që kandidatja tjetër ka qenë asistente në ushtrime në të kaluarën në UP.

Dua të qartësoj se lufta nuk është assesi personale dhe realisht nuk kam asgjë kundër askujt në këtë proces. Kauza që duhet ta ngjallim duhet të jetë kundër sistemit të instaluar në UP, kundër burokracive të tilla, kundër rregulloreve të tilla që qëllimisht nuk lejojnë që Universiteti jonë të pasurohet me staf që mund të kontribuoj në shkencë e në edukimin e gjeneratave të reja. Kjo kauzë është për ndryshimin e sistemit arsimor në Kosovë. Është për Universitetin tonë. /Albanianpost/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën paradite  është bërë me dije  se është sulmuar…