UP-së i vazhdohet akreditimi edhe për pesë vjet, rektori Dema uron studentët
Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Republikës së Kosovës (KShC) ka analizuar dhe votuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Sipas votimit të KShC-së, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është riakredituar për pesë vitet e ardhshëm.
Ndonëse e ka konsideruar si vendim të pritur, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, është shprehur i lumtur që ky universitet ka marrë vlerësim të lartë nga ekspertët ndërkombëtarë dhe është votuar për akreditimin e tij edhe për gjysmë dekade.
Për këtë vendim të rëndësishëm, Dema ka uruar studentët, stafin dhe të gjithë qytetarët.
“I gëzohem shumë vendimit të KShC-së, për riakreditimin e UP-së edhe për pesë vjet. Ashtu si vendimi, edhe vlerësimi në detaje i performancës së UP-së, kanë konstatuar që UP-ja ka shënuar përparime të mëdha dhe vazhdon të jetë institucion lider i arsimit të lartë. Me këtë rast, përzemërsisht i uroj studentët, profesorët, stafin akademik dhe gjithë qytetarët e këtij vendi, sepse Universiteti i Prishtinës është i të gjithëve”, ka thënë Dema.
Përveç urimeve, rektori Dema ka falënderuar stafin akademik dhe administrativ, menaxhmentet e fakulteteve, studentët dhe partnerët për punën e palodhshme të bërë për ngritjen e cilësisë së institucionit, si dhe akreditimin e tij në veçanti.
Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës është zhvilluar në maj të këtij viti, duke qenë njëherësh i pari institucion vendor i vlerësuar përmes një procesi të mbajtur tërësisht online.
Për riakreditimin e Universitetit të Prishtinës, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, si dhe nivelin e studentëve.