
UPZ-ja arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin WSB të Polonisë
Universiteti “Ukshin Hoti” ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin WSB të Polonisë. Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën nga ushtruesi i detyrës së rektorit të UPZ-së, prof. asoc. dr. Ismet Temaj dhe profesor Zdzislawa Dacko-Pikiewicz, rektore e UWSB-së.
Marrëveshja përfshinë shkëmbimin e studentëve, stafit, materialeve shkencore dhe didaktike, organizimin e projekteve të përbashkëta edukative dhe hulumtuese, bashkëpunim në programet e Bashkimit Evropian dhe programe të tjera institucionale, programet verore dhe diploma të përbashkëta.
Bashkë me rektorin Temaj në Poloni po qëndrojnë edhe dekani i ekonomikut, prof. asoc. dr. Halil Kukaj dhe profesori dhe anëtari i Këshillit Drejtues të UPZ-së prof. ass. dr. Artan Nimani, i cili ka iniciuar bashkëpunimin në mes të dy institucioneve.
Rektori Temaj e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje e cila do t’i shërbejë interesave të dy institucioneve dhe do të përfitojnë studentët dhe stafi i UPZ-së.
/Epoka e re/