UPZ-ja arrin marrëveshje me STA-n
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka arritur protokoll bashkëpunimi me STA (Country Master Distributor for ETS).
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të garantojë bashkëpunimin midis UPZ-së dhe STA-së me qëllim sigurimin e standardit gjatë procesit të testimit të gjuhës Angleze e Frënge dhe të garantojë certifikimin zyrtar të rezultatit të arritur gjatë testimit në ambientet e UPZ-së.
Tani studentët e UPZ-së do të kenë mundësi t’i nënshtrohen testeve të ETS të njohura ndërkombëtarisht (TOEFL ITP, TOEIC L&R dhe TFI) në ambientet e këtij universiteti.
Marrëveshjen përkatëse e ka nënshkruar prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, ushtrues detyre i rektorit në UPZ, dhe prof. Ass. Ines Dika, përfaqësuese e STA-së.
Kjo marrëveshje është në funksion të implementimit të marrëveshjes në mes të MAShT-it dhe ETS Global BV e arritur në fund të vitit të kaluar me qëllim të implementimit të Udhëzimit Administrativ të Zyrës së Kryeministrit për gjuhët e huaja në programet e studimit të ciklit të dytë apo të tretë.
Rektori Temaj e ka vlerësuar të rëndësisë së veçantë për studentët e UPZ-së që t’i nënshtrohen provimit në njohuritë në gjuhët e huaja, sidomos atë angleze, në një institucion kredibil siç është ETS Global BV.
/Epoka e re/