Ura e Balincës lëshohet për qarkullim, fillon puna në tranzitin e Malishevës
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të premten përuroi urën e Balincës, pjesë e rrugës nacionale N9, Prishtinë – Pejë.
Vlera totale e investimit që përfshinë ndërtimin e urës me gjithë infrastrukturën përcjellëse, kap shifrën 773,485 euro.
“Gjatë ditës, Lekaj mori pjesë edhe në fillimin e punimeve në segmentin e ri të tranzitit të Malishevës. Loti me gjatësi prej 3.6 kilometra, do të kushtojë rreth 960 mijë euro dhe pritet të përfundojë për 180 ditë pune”, thuhet në njoftimin e MIT.
Ministri Lekaj tha se MIT, nën udhëheqjen e tij, është e përkushtuar të kryej projekte të rëndësishme infrastrukturore, lokale e qendrore, të nevojshme për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Ai shtoi se rrugët duhet të shërbejnë për lidhje të qyteteve të Kosovës, në mënyrë të sigurtë.
Paraprakisht, Lekaj, u prit në takim nga kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, i cili shprehu falënderimin për përkrahje të vazhdueshme të komunës që ai drejton.