Ura e Ibrit hiqet nga dialogu i Brukselit, qëndrimi i Lajçak reflektohet edhe te KFOR’i

14 shtator 2024 | 13:40

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të fundit më 6 shtator në Prishtinë solli me vete edhe lajmin e ri që çështja e Urës së Ibrit nuk do të diskutohet në dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë. Nuk e tha drejtpërdrejt, megjithatë diskursi i tij ishte i ndryshëm nga herët e kaluara kur foli se me kënd duhet të diskutojë Kosova për këtë urë. Ky ndryshim u reflektua edhe te NATO.

“Hapja e saj [Urës së Ibrit] duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”.

Kështu tha Lajçak në deklarimin e tij për mediat në Prishtinë pas një takimi që pati me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, me të cilin ka folur kryesisht për temat që do të diskutojnë në takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel.

Lajçak këtu s’e përfshiu Serbinë si palë me të cilën duhet të flitet për një urë të Kosovës. Në këtë ka insistuar edhe Kosova së fundi, e cila e konsideron të përfunduar këtë çështje në marrëveshjet e kaluara në Bruksel.

“Ne po ashtu diskutuam për Urën e Mitrovicës dhe hapjen e saj për qarkullim të automjeteve. Besoj se qëndrimi i BE-së është i njohur, por do ta përsëris: ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet e kësaj”, tha Lajçak.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që ka një prani fikse mbi urën simbolike që ndan veriun e shumicës serbe me jugun e shumicës shqiptare, në përpjekjet e para të Qeverisë për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve ishte shprehur se kjo çështje duhet të dakordohet në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë në maj të këtij viti KFOR pati bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Misioni i NATO’s vazhdon të angazhohet për dialog mbi këtë çështje, por në një përgjigje për Gazetën Express thotë se Kosova duhet të dialogojë me komunitetin ndërkombëtar pa e përmendur dialogun e Brukselit.

“Për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar. Në ndërkohë, KFOR-i do të mbajë prezencën e tij fikse në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në përgjigjen e KFOR për Gazetën Express.

Sidoqoftë, KFOR në vazhdimësi ka përkrahur zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut në Bruksel. Këtë e kishte theksuar edhe Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, i cili në fund të gushtit qëndroi në Kosovë dhe u takua me kryeministrin Kurti.

Ai në Prishtinë tha se paqja e qëndrueshme nuk arrihet përmes shtimit të trupave të KFOR-it, por se dy shtetet fqinje duhet të angazhohen më shumë në dialog.

“Gjatë vitit të kaluar, ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, për të adresuar, për fat të keq, një mjedis më sfidues të sigurisë dhe tensione të përsëritura. Kjo tregon, edhe një herë, përkushtimin e palëkundur politik të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse fatkeqësisht është e nevojshme për momentin, më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë. Zgjidhja është politike. Është thelbësore që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet në pritje. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese pa vonesë”, kishte thënë ai.

Goffus kishte thënë se është “jetike që të kemi një koordinim në kohë dhe efektiv me NATO-n dhe komunitetin ndërkombëtar” dhe ai tha se kjo vlen për një mori çështjesh, duke përfshirë Urën e Ibrit.

Ditë më parë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kishte thënë se ideja për ta dialoguar në një tavolinë me Serbinë një urë brenda territorit të Kosovës është hequr. Ajo madje mori meritat për këtë ‘betejë’ të fituar të Kosovës.

“Tash më nuk ka insistim që kjo çështje të shkojë në dialog me Serbinë për shkak të insistimit tim të vazhdueshëm edhe me BE-në edhe me NATO-n edhe me shtetet veç e veç që të bëhet dëm i jashtëzakonshëm nëse kjo dialogohet me Serbinë. Serbia s’ka çka pyetet për këtë punë, por me aleatët tonë, unë nuk e kuptoj pse gjithë ky mllef nga të qenit bashkë rreth një tavoline. Po a s’po kërkojmë ne pikërisht që të bashkohemi në këto tavolina euroatlantike?”, tha Osmani në një intervistë për Kallxo.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit që mbajti me Lajçakun, në një deklaratë që e lëshoi Zyra e Kryeministrit, tha se kishte theksuar qëndrimin e Kosovës se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Europian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme.

Kjo sigurisht që i ka penguar Beogradit zyrtar. Qëndrimin e tij e kishte bërë të ditur kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, që ishte ankuar në Lajçakun për ndërrim të pozicionit.

“Çfarë ka ndryshuar në pozicionin e Miroslav Lajçak për urën që nga gushti? BE-ja tha se hapja e urës mund të zgjidhet vetëm me dialog, gjë që tregohet nga ‘tweet’ i Lajçakut. Sot dëgjojmë prej tij se kjo çështje varet vetëm nga marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar. Lajçak po e zhvendos marrëveshjen e urës nga dialogu dhe vetëm deri dje këtë çështje e kishte shpallë si temë kryesore të diskutimeve në Bruksel. Pse?”.

Për kohën se kur mund të hapet ura kanë folur së fundi edhe presidentja edhe kryeministri.

Kurti në një vizitë të tij në veri para tri ditëve është deklaruar se Qeveria e Kosovës është gatshme për hapje dhe se vetëm po pret QUINT-in dhe KFOR-in.

“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet. Jemi të gatshëm ta bëjmë hapjen dhe po e presim vetëm, QUINT-in dhe KFOR-in”.

Ndërkaq, Osmani kishte thënë se beson që edhe në 2024-ën mund të ndodhë hapja e urës dhe tha se “nuk ka kërkesë që ta mbajmë urën të mbyllur gjithmonë, por ka kërkesë që momentin ta dakordojmë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fundjavë (sot dhe nesër) fillon ProCredit Superliga, që pritet…