Uragani ‘Willa’ zbarkon në Meksikë
Uragani “Willa”, një stuhi që është përshkruar nga parashikuesit e motit si “kërcënuese për jetën” dhe “potencialisht katastrofike”, ka zbarkuar në Meksikën perëndimore.
Aktualisht stuhi e kategorisë tre, ajo ka erëra deri në 195 kilometra në orë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve ka bërë me dije se stuhia pritet të dobësohet, por paralajmëroi se ajo mund të shkaktojë “përmbytje të rrezikshme dhe rrëshqitje të dheut”.
Alarmi për stuhi është në fuqi në zonat bregdetare nga San Blasi deri në qytetin turistik Mazatlan, raporton “Rel”.
Qendra Kombëtare e Uraganeve po ashtu u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Këtë muaj, disa zona të Shteteve të Bashkuara janë shkatërruar nga uragani “Michael”, i cili ka lënë së paku 27 njerëz të vdekur.