Uran Ismaili: Bislimi sjellje joparlamentare – Si deputet kam pasur përvojë të keqe me të
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Ismaili ka komentuar përleshjen në Kuvendin e Kosovës në mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të pushtetit. Gjersa kritikoi Bislimin, kritikat nuk i la anash as për Kryeparlamentarin Konjufca.
Uran Ismaili nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka deklaruar se gjatë kohës së tij si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka pasur një përvojë të mirë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Ismaili ka komentuar përleshjen në Kuvendin e Kosovës në mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të pushtetit. Ai ka deklaruar se një sjellje e Bislimit si ajo në seancë, nuk kishte ndodhur për të parën herë.
“Kemi parë një akt dhune nga kryenegociatori Bislimi, i cili me të vërtetë ka një traditë të sjelljes joaprlamentare. Unë kam qenë vetë deputet dhe kam pasur përvojë të keqe gjatë kohës si deputet me të”, ka deklaruar ai.
Ai ka deklaruar se sjellje të tilla nga ana e PDK-së nuk do të përsëriten më, gjersa theksoi se edhe këto të fundit, nuk u bën me dëshirën e bashkëpartikaëve të tij.
Kritika nga ana e Ismailit pati edhe për kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
“E shoh një gabim të Glauk Konjufcës, kryetarit të Kuvendit. Mendoj që në kohën kur është dashur shumë më herët t’ia tërhjekë vërejtjen Besnik Bislimit, është dashur më herët ta disiplinojë…nuk e ka të drejtën të sillet si kapadai në Kuvend”, ka deklaruar ai, gjersa numëron disa nga deklaratat e Bislimit në Kuvend.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkon në pauzë për 30 minuta.