Uran Ismaili, kandidat i PDK-së për Prishtinën
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim të mbajtur me strukturat e reja në Prishtinë, ka thënë se Uran Ismaili është kryetari për të cilin ka nevojë Prishtina.
“Nuk kam parë njeri që e dëshiron më shumë qytetin e vet se Uran Ismaili. Urani e do Prishtinën me zemër. Duke e parë udhëheqjen dhe punën e tij të mrekullueshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe dashurinë që ka për qytetin, e di që ai është kryetari për të cilin ka nevojë Prishtina. Prandaj, ju them këtu zyrtarisht se Uran Ismaili është kandidati i PDK-së për Prishtinën”, ka thënë Veseli.
Më tutje, Veseli ka thënë se nuk do të ketë projekt për Prishtinën që qeveria qendrore nuk do ta mbështesë.
“Prishtina nuk do të mbetet më gërmadha e Kosovës. Uran Ismaili do ketë shumë e shumë projekte për zhvillimin e Prishtinës dhe të gjitha niveli qendrorë do t’i mbeshtesë”.
Ndërkohë, Uran Ismaili, ka thënë se Prishtina dhe qytetarët e saj e meritojnë një qytet më të dinjitetshëm.
“Së bashku do ta bëjmë Prishtinën një kryeqytet modern i cili do të zhvillohet dhe do të krijoj mundësi për të gjithë qytetarët e saj mbi kërkesat dhe nevojat e tyre e jo mbi animet partiake. Ju, ta mbledhur sot këtu kaq masivisht, jeni garancia më e madhe se kjo është e mundur dhe se ne do t’ia dalim”, ka thënë Uran Ismaili.
Uran Ismaili është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë e cila ka dalë me 75 nëndegë në zgjedhjet e fundit.