Urdhër-arrest ndaj Netanyahut, ShBA-ja bën presion ndaj Gjykatës së Hagës për ta parandaluar
Sipas raportimeve në disa media izraelite, Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekjet e fundit diplomatike për të parandaluar Gjykatën Penale Ndërkombëtare të lëshojë urdhër-arreste kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të tjerë izraelitë.
Në faqen e lajmeve “Walla”, analisti Ben Caspit ka shkruar se Netanjahu është “nën stres të pazakontë” për mundësinë e një urdhër-arresti kundër tij dhe izraelitëve të tjerë nga gjykata në Hagë, e cila do të ishte një përkeqësim i madh në statusin ndërkombëtar të Izraelit. Netanjahu përmes telefonatave të vazhdueshme me presidentin Joe Biden po kërkon një “shtytje të vazhdueshme” për të parandaluar një urdhër arresti.
Analisti i medias “Haaretz”, Amos Harel, ka shkruar se qeveria izraelite po punon për të shmangur urdhër arrestimin ku supozohet se prokurori i ICC-së (Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë), Karim Khan, mund të lëshojë këtë javë urdhër për arrestimin e Netanjahut , ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe Shefit të Shtabit të IDF, Herzi Halevi.
Sipas analistit Harel “ShBA-ja, e cila, ashtu si Izraeli, nuk është në mesin e 124 vendeve që nënshkruan Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, është tashmë e angazhuar në përpjekjen për të bllokuar urdhër-arrestet”.
Deklarata e fundit publike e Netanjahut në lidhje me luftën tha se vendimet e ardhshme nga ICC mund të krijojnë një “precedent të rrezikshëm”.
“Ne kurrë nuk do të ndalojmë së mbrojturi veten. Ndërsa vendimet e gjykatës në Hagë nuk do të ndikojnë në veprimet e Izraelit, ato do të ishin një precedent i rrezikshëm që kërcënon ushtarët dhe zyrtarët e çdo demokracie që lufton terrorizmin kriminal dhe agresionin”, ka thënë ai./rtsh.al