Urdhër-arresti për Putinin, Prokurori i Ukrainës: Vendim historik për Ukrainën

17 mars 2023 | 18:56

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, është vendim “historik”.

“Tash e tutje, presidenti rus ka status zyrtar të të dyshuarit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar”, tha ai përmes një deklarate.

“Ky është vendim historik për Ukrainën dhe për gjithë sistemin e ligjit ndërkombëtar”, ka tha Kostin.

As Rusia, e as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kievi, megjithatë, i ka dhënë juridiksioni kësaj gjykate që të ndjekë krimet e kryera në territorin e saj që kur Moska nisi pushtimin vitin e kaluar.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, e përbërë nga 123 anëtarë, nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar urdhër-arrestet, por varet nga shtetet anëtare që të arrestojnë të dyshuarit për t’i sjellë më pas për gjykim në Hagë.

Përderisa urdhër-arresti ka të ngjarë të dobësojë statusin e Putinit në qarqet ndërkombëtare, është ende e paqartë se si do të ekzekutohet urdhri kundër tij.

“Ky është një moment i rëndësishëm në procesin e drejtësisë para Gjykatës… teksa gjyqtarët lëshojnë urdhër-arreste, ekzekutimi i tyre varet nga bashkëpunimi ndërkombëtar”, tha presidenti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjykatësi Piotr Hofmanski.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë,…