Urdhërarresti i GJNP-së për Netanyahun përçan Perëndimin
Urdhërarresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, është sfiduar të premten nga Hungaria. Kryeministri i këtij shteti, Viktor Orban e ka ftuar Netanyahun ta vizitojë vendin e tij, duke e garantuar se nuk do të arrestohet. E, të kundërtën e kanë deklaruar një numër i vendeve anëtare të BE-së
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban e ka ftuar për vizitë në shtetin e tij homologun izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se garanton që urdhërarresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale nuk do të respektohet.
GJNP-ja të enjten lëshoi urdhërarreste për Netanyahun, ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe komandantin e Hamasit, Mohammed Deif, për të cilin Izraeli ka thënë se e ka vrarë në korrik. Të tre dyshohen për krime kundër njerëzimit gjatë luftës së nisur prej më shumë se një viti.
Orbani, vendi i të cilit mban presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, i ka thënë radios shtetërore se urdhërarresti i GJNP-së është i gabuar.
“Sot do ta ftoj kryeministrin e Izraelit, Netanyahu, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë do t’i garantoj atij se nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari dhe ne nuk do ta ndjekim përmbajtjen e tij”, ka theksuar Orban.
Pas ftesës nga homologu i tij hungarez, Benjamin Netanyahu e ka falënderuar për mbështetjen, pavarësisht urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata.
“Përballë atyre që e mbështetin këtë vendim të turpshëm kundër të drejtës së shtetit të Izraelit për ta mbrojtur veten, Hungaria po qëndron në krah të drejtësisë dhe së vërtetës”, ka theksuar kryeministri izraelit.
Zyra e Netanyahut ka publikuar gjithashtu një letër të dërguar nga Orbani të premten, në të cilën ai ishte shprehur i tronditur kur mësoi për vendimin e GJNP-së.
Që kur Orbani mori pushtetin në vitin 2010, ai dhe Netanyahu kanë krijuar marrëdhënie të ngushta politike. Netanyahu vizitoi Budapestin në vitin 2017.
Udhëheqësit izraelitë dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar vendimin e GJNP-së.
“Ne e kundërshtojmë në thelb vendimin e Gjykatës që të lëshojë urdhërarrestet ndaj zyrtarëve izraelitë. Jemi të shqetësuar thellësisht nga nxitimi i prokurorit të kërkojë lëshimin e urdhërarresteve dhe gabimet në procesin problematik që çoi drejt këtij vendimi. Shtetet e Bashkuara janë të qarta në qëndrimin e tyre se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur “fyes” urdhërarrestin.
“Çfarëdo që mund të nënkuptojë GJNP-ja, nuk ka asnjë ekuivalencë – asnjë – midis Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, ka thënë Bideni.
Ndërsa shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se urdhërarrestet nuk janë politike dhe se të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet ta respektojnë dhe zbatojnë.
“Tragjedisë në Gazë i duhet dhënë fund. Vendimi nuk është vendim politik, është vendim i një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë, që duhet të respektohet dhe të zbatohet… Ky vendim është ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha shtetet, të gjitha shtetet anëtare të Gjykatës, ku përfshihen të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë të detyruara ta zbatojnë vendimin e gjykatës”, ka thënë ai. Holanda, Finlanda, Irlanda, Italia dhe Spanja janë ndër shtetet e BE-së që kanë njoftuar se do të veprojnë konform vendimit të GJNP-së. Qiproja, e cila ka lidhje të ngushta me Izraelin, i konsideron urdhrat si të detyrueshme në parim, ka thënë një burim qeveritar për “Reuters”, ndërkaq Republika Çeke vazhdon të jetë mbështetëse e Izraelit.
Zëdhënësi i Qeverisë gjermane ka sugjeruar se Gjermania mund të tregohet e rezervuar për ta arrestuar Netanyahun në bazë të këtij urdhërarresti. “E kam të vështirë ta imagjinoj që do t’i bënim këto arrestime në Gjermani mbi këtë bazë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit. Edhe Franca ka thënë se e ka parasysh vendimin, por pa treguar për zbatim apo jo.
GJNP-ja ka kërkuar arrestimin e Netanyahut dhe Gallantit si të dyshuar për krime, duke përfshirë vrasjen, sulmin e qëllimshëm ndaj civilëve dhe persekutimin. Sipas kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan, Izraeli ka privuar qëllimisht dhe sistematikisht popullatën civile në të gjitha pjesët e Gazës nga objektet e domosdoshme për mbijetesën njerëzore, duke mbyllur pikat kufitare në territor dhe duke kufizuar furnizimet thelbësore, përfshirë ushqimin dhe ilaçet.
Në të njëjtën kohë, tre liderët e Hamasit – Sinwar, Deif dhe Haniyeh – akuzohen për krime të lidhura me sulmet e 7 tetorit 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Liderët akuzohen për krime duke përfshirë vrasjen, shfarosjen, marrjen e pengjeve, përdhunimin dhe torturën. Që nga 7 tetori 2023, Izraeli nisi hakmarrjen. Deri tash raportohet të jenë vrarë më shumë se 44 mijë njerëz në Gazën, që udhëhiqet nga Hamasi.
Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi i hedhin poshtë akuzat e GJNP-së.