Urdhri i Millosheviqit dhe tragjedia në Kazermën e Paraqinit (7)
Anatomia e nazizmit serb: Slobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (7)
Shkruan: Prof. Dr. Agim ZOGAJ
Vrasja mizore e ushtarit Aziz Kelmendi
Konflikti i dy fraksioneve në kreun udhëheqës të Serbisë kishte marrë hov me një incident që, realisht nuk do të duhej të ishte shkas për një konflikt me përmasa aq të rrepta. Mirëpo, veçmas fraksioni i Millosheviqit, mezi kishte pritur të gjente një shkas për të filluar fushatën politike, kundër Pavloviqit dhe Stamboliqit. Kësaj radhe si shkas ishte marrë një shkrim i gazetës së studentëve, Student. Papritmas, në kulmin e fushatës së regjimit kundër gazetës Student, në mbrojtje të gazetës studenteske ishin vënë Stamboliqi dhe Pavloviqi, duke kërkuar që incidenti i tillë të mos dramatizohej.
Millosheviqi në tërë këtë lojë bizare, po e luante rolin e dyfishtë, dhe deri në fund të paqartë: herë paraqitej si mbrojtës i titizmit e herë si një serb i shqetësuar për situatën dhe zhvillimet në Serbi. Ai po e luante lojën e vet, ashtu si e kishte zakon. Në tërë këtë fushatë, Pavloviqi u akuzuar si “antititoist”, në mënyrë që pak ditë më vonë ai të dyshohej edhe për vijën patriotike serbe.
Dhe derisa ngjarjet po shpinin, kah qërimi përfundimtar i hesapeve në taborët e dy fraksioneve më të fuqishme në Serbi, më 3 shtator 1987, diku kah ora tre e pesë minuta e mëngjesit në kazermën jugosllave të Paraqinit kishte ndodhur një vrasja e katër ushtarëve dhe plagosja e gjashtë të tjerëve, ngjarje kjo e cila jo shumë vonë më së shumti do të rëndoj mbi popullatën shqiptare. Sepse, Shërbimi i zbulimit ushtarak serb-jugosllav kishte dalë me komunikatë për opinion gjoja se ushtari nga Prizreni, Aziz Kelmendi i kishte vrarë dhe plagosur ushtarët. Shtypi serb, i dirigjuar nga regjimi milloshviqian kishte nxitur edhe më fuqishëm urrejtjen ndaj shqiptarëve, duke e ngritur këtë në një delirium të vërtet dhe histeri shoviniste. E përditshmja Politika plot katër ditë radhazi, nga katër faqet e para ia kushtonte asaj ngjarje në kazermën e Paraqinit, duke mbajtur kryetitujt e mëdhenj hapës ku shkruante “Gjuajtje mbi Jugosllavinë”! Kurse, regjimi ishte përkujdesur që edhe gjatë ceremonisë së varrimit të dy ushtarëve të vrarë serbë, urrejtja patologjike serbe të përndizej edhe më tepër, duke organizuar brohoritjet e qytetarëve, me parullat” Fadil Hoxhën në litar”, “Azem Vllasi – jashtë Jugosllavisë”, “Kosova është Serbi”, “Poshtë tradhtarët” etj. Gjatë ceremonisë së varrimit shumë demonstrant, natyrisht nën regjinë e regjimit ishin tubuar te varri i Aleksandar Rankoviqit, njërit prej ndjekësve më të famëkeq, antishqiptar të popullit tonë. Shtypi serb i kohës veçse e shtonte ndjenjën e urrejtjes antishqiptare.
Në gjithë këtë atmosferë, e cila kulmonte me lojërat me bizare në skenën politike serbe, triumfi i Millosheviqit po bëhej gjithnjë e më real.
Gazetat Politika dhe Ekspres Politika që prinin për kursin millosheviqian dhe sidomos për nxitjen e histerisë antishqiptare, kishin vazhduar fushatën e qërimit të hesapeve me Dragisha Pavloviqin. Ngjarja tragjike në kazermën e Paraqinit, ku të njëjtën ditë jetën e kishte humbur edhe ushtari shqiptar, Aziz Kelmendi, po kulmonte me euforinë nacionaliste serbe. Këtu, pra, po në këtë atmosferë nacionaliste serbe duhet kërkuar edhe burimet e para të të ashtuquajturës “ndodhje e popullit” lëvizje kjo populliste që për më pak se një vit e ngriti në këmbë mbarë popullin serb. Dragisha Pavloviqit nuk i shkonte mendja se ai do të jetë viktima e parë e madhe serbe e kësaj vale të fuqishme dhe shumë të rrezikshme nacionaliste serbe.
Duke e parë se situata në Serbi, me të shpejt dhe pa ndalur po rrëshqiste kah nacionalizmi agresiv, gjakatar, përmasat dhe pasojat e të cilit nuk mund të parashikoheshin, ai kishte ngritur zërin për maturi politike. Ndër të tjera Pavloviqi në një konferencë për shtyp tërhiqte vërejtjen me konstatimin se “Hapësira për zgjidhjen e problemit kosovar tani është ngushtuar aq shumë, sa që gabimi më i vogël në poteza…mund të jetë tragjik edhe për serbët dhe malazezët në Kosovë, edhe për popullin serb, dhe për mbarë stabilitetin në Jugosllavi…Por, nëse luftën kundër nacionalizmit shqiptar e përcjellin mosdurimi dhe urrejtja ndaj popullit shqiptar, çka ka në disa mjete të informimit, atëherë ajo luftë është gjithnjë e më larg nga parimet socialiste, dhe gjithnjë e më afër nacionalizmit”.
Në këtë vlerësim Dragisha Pavloviqi nuk kishte përmendur asnjë individ, asnjë gazetë konkretisht, mirëpo aludimet e tij ishin drejtuar kah gazetat Politika dhe Ekspres Politika si dhe tek Sllobodan Millosheviqi rreth të cilit po tuboheshin të gjitha rrymimet nacionaliste, serbomëdha të kohës.
Millosheviqi, i cili paraprakisht nuk ishte i informuar për këtë konferencë shtypi, paraqitjen e Pavloviqit, e kishte përcjell në televizionin serb, i shoqëruar nga Dushan Miteviqi, bashkëpunëtor i tij i afërt. Një ditë më pas, më 13 shtator 1987, Sllobodan Millosheviqi dhe Mirjana Markoviqi, në shtëpinë e gjyshit të Mirijanës i kishin ftuar për takim Dushan Miteviqin, dhe kryeredaktorët e Politikës e të Ekspres Politikës, Zhivorad Minoviqin dhe Slobodan Jovanoviqin.
Temë kryesore e takimit joformal ishte si të reagohet ndaj paraqitjes së Dragisha Pavloviqit në konferencën për shtyp. Fillimisht Millosheviqi kishte hedhur idenë që të organizohej një tjetër konferencë për media, në të cilën do të gjykohej paraqitja e kryetarit të komunistëve të Beogradit. Mirëpo, Dusha Miteviqi ia kishte ndërruar mendjen Millosheviqit duke propozuar që në vend të konferencës për media luftën politike me Pavloviqin ta fillojnë disa nga gazetarët më autoritativ në shtypin serb. Ideja e Miteviqit ishte me plot logjik, sepse nëse gazetarët nuk arrijnë ta komprometojnë personalitetin e Pavloviqit, atëherë është lehtë të thuhet se përgjegjësinë për sulmin ndaj Pavloviqit e mban shtypi i papërgjegjshëm.
Pasi ishte arritur marrëveshja për të shkruar një koment politik, në të cilin do të reagohej ashpër ndaj fjalimit të Pavloviqit, këtë detyrë e kishte marrë Mirjana Markoviqi, kurse i kishte ndihmuar, Zhivorad Minoviqi drejtor i Politikës. Në të njëjtën takim ishte arritur marrëveshja që komenti të botohej në Ekspres Politikë kurse më pas atë ta bart, huazoj edhe Politika. Ishte krejt e kuptueshme se komentin nuk duhej ta nënshkruante e shoqja e presidentit Milosheviqi, prandaj të pranishmit e takimit të 13 shtatorit 1987 kishin vendosur që autorësia ti takoj gazetarit me për ardhje nga Kosova, Dragoljub Milanoviq.
Kur është fjala për mospajtimin e koncepteve midis Milosheviqit dhe Stamboliqit
pra rreth çështjeve të realizimit të politikës dhe interesit serb, si shembull ilustrativ mund të merret edhe rasti i fjalimit të Sllobodan Millosheviqit në Fushë Kosovë në pranverë të vitit 1987. Është e saktë se fjalimi i Millosheviqit para masës së tubuar të protestuesve serbë e malazez në Fushë Kosovës, që ndryshe tingëllonte me plot patetizëm nacionalist serb, kishte nxitur huti dhe hamendje te strukturat udhëheqëse politike e shtetërore serbe. Kishte mbetur i hutuar madje edhe Ivan Stamboliqi, aso kohe kryetar i Serbisë i cili personalisht i kishte sugjeruar Millosheviqit që të vijë në Kosovë.
Fillimi i konfliktit midis Stamboliqit dhe Millosheviqit
Që në mbledhjen e parë të Kryesisë së KQ të LKS-së, Ivan Stamboliqi, kryetar i Serbisë e kishte kritikuar Millosheviqin për fjalimin e tij në Fushë Kosovë. Stamboliqi kishte thënë se nuk është në rregull që çështje të tilla të shtrohen, të diskutohen pa marrëveshje me udhëheqjen qendrore duke menduar në veten. Konkretisht kishte bërë vërejtje pse Millosheviqi kishte folur në Fushë Kosovë pa u marrë vesh me te. Kur i kishe hedhur të gjitha ato kritika, Stamboliqi me atë raste kishte pasur parasysh funksionin e tij, të njeriut të parë në udhëheqjen e Serbisë, mirëpo, me arrogancën e tij të përhershme Millosheviqit nuk i kishte pranuar kritikat. Madje, kishte mbrojtur pozicionin kundërakuzues se është koha e fundit që diçka të bëhet për serbët dhe malazezët në Kosovë, dhe jo vetëm të premtohet deklarativisht. Ç’është e vërteta, dëshmitarët e asaj mbledhje kujtojnë faktin se, fillimisht edhe të pranishmit tjerë në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKS-së ishin gjetur të befasuar sepse nuk kishte ndodhur që në mesin e udhëheqjes më të ngushtë shtetërore, e partiake të Serbisë të kishte debate aq të nxehta dhe polemizuese. Ishte pra një dukuri e re në jetën politike serbe, edhe pse konfrontimi dhe ballafaqimi politik ishte zhvilluar vetëm midis Stamboliqit dhe Millosheviqit. Së fundi, çështja po diskutohej jashtë rendit të ditës së mbledhjes.
Disa ditë, pas mbledhjes së Kryesisë së KQ të LKS-së Dragisha Pavloviqi, kryetar i Komitetit të LK të qytetit të Beogradit kishte mbajtur mbledhje me të gjithë kryeredaktorët dhe redaktorët përgjegjës të mjeteve të informimit në të cilin takim sipas burimeve serbe u kishte dhënë instruksione për pozicionimet e mediave lidhur me konfliktin e paralajmëruar politik në udhëheqjen serbe. Esenca e këtyre instruksioneve ishte se duhej kritikuar paraqitjen e Millosheviqit në Fushë Kosovë e veçmas premtimet e tij të dhëna lehtë de të parealizueshme. Ishte e qartë se Pavloviqi këtë nuk e bënte krye në veti por se pas kësaj politike qëndronte kush tjetër pos Ivan Stamboliqit i cili paraprakisht ishte deklaruar në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKS-së. Millosheviqi dhe përkrahësit e tij ishin befasuar me sulmin dhe kritikat që Dragisha Pavloviqi i cili edhe ishte anëtar i Kryesisë së KQ të LKS-së i kishte bërë në adresë të udhëheqësit të tij, Milloshevqit. Por, në fakt, çështja nuk ishte edhe aq e personalizuar sa në të vërtet, po sulmohej politikani në të cilin aq shumë kishin investuar qarqet nacionaliste serbomëdha duke u nisur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, Armata Jugosllave, krahu serb, Shërbimi sekret serb etj.
Ndërkohë, Millosheviqi me lidhjet e tij politike kishte organizuar kundërofensivë politike, duke reaguar me tekste të shkruara nga bashkëpunëtorët e tij edhe me pseudonime. Ndër këto shkrime të botuara në shtypin serb, natyrisht me pseudonime ishin edhe ato të Borisav Joviqit, aso kohe bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviqit roli i të cilit në historinë serbe, krahasuar me Qeverinë e Rajhut i përgjigjet rolit të Gebelsit. Opinioni serb ishte senzibilizuar deri në maksimum, kurse çështja shikohej kryesisht nga dy aspekte: nga aspekti i mospajtimeve në udhëheqjen serbe dhe nga aspekti i marrëdhënieve të udhëheqjes serbe ndaj çështjes së Kosovës. (Vijon)