Urimi dhe lutja e myftiut Tërnava për ushtrinë e Kosovës nga Qabeja
“Në këtë ditë të bekuar të xhumasë, në vendin më të bekuar në Tokë, nga Meka fisnike e nën hijen e Qabesë, kibles së besimtarëve myslimanë, uroj qytetarët dhe Institucionet e Kosovës, dhe kombin mbarë, për formimin e ushtrisë së vendit tonë. Është kjo Ditë e bekuar dhe e zgjedhur, teksa po bëjmë edhe hapin më të madh pas aktit të Shpalljes së pavarësisë – themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë gjithmonë Forcë për ruajtjen e Paqes, dhe e cila nuk do të paraqes rrezik për asnjë popull dhe vend fqinj, por siguri për të gjithë.
Nga Qabeja e bekuar, me duar të ngritura nga Qielli, i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm, që ta bekojë e ruajë Ushtrinë e Kosovës. O Allah i Gjithëpushtetshëm, bashkoji zemrat e popullit tonë dhe zemrat e prijësve tanë në atë që Ti je i kënaqur, për hir të gjithë atyre dëshmorëve, që dhanë jetën e tyre për këtë Ditë të Madhe. Qoftë e bekuar përjetësisht, Ushtria e Kosovës”, kjo ishte lutja e Myftiut të Kosovës dhe e delegacionit të BIK-ut sot në Qabe gjatë namazit të xhumasë.