Urimi i ministrit Bytyqi për vitin e ri akademik 2018/19

01 tetor 2018 | 10:58

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2018/19, ka uruar studentët dhe profesorët e institucioneve të arsimit të larët publik e privat, për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

Urimi i plotë i ministrit Bytyqi:

Të dashur studentë dhe profesorë,

Uroj të keni një vit të suksesshëm akademik. Le të punojmë të gjithë së bashku që të arrijmë synimet e përbashkëta për cilësi, që të avancojmë standardet universitare dhe mbi të gjitha, të jemi të përgatitur dhe konkurrent në tregun evropian dhe më gjerë.
Padyshim që zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit , varet nga ajo se çfarë kuadrosh do të kemi në të ardhmen, andaj uroj që universitetet tona përkatësisht fakultetet të përgatisin kuadro për të ardhmen, duke ofruar programe atraktive e cilësore konform kërkesave të tregut të punës.

Studentët tanë kanë pasur edhe një mision tjetër gjatë historisë më të re të Kosovës: ta bëjnë këtë vend të lirë dhe të pavarur. Prandaj, ata, bashkë me profesorët e tyre iu kanë prirë proceseve të rëndësishme.

Tani, studentët kanë një detyrë tjetër para vetes. Ata duhet ta zhvillojnë këtë vend dhe ta bëjnë sa më të fuqishëm, në mënyrë që Kosova të ecë krahas shteteve të zhvilluara.

MAShT në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar po krijon hapësira bashkëpunimi me institucionet prestigjioze ndërkombëtare, gjë që padyshim do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, si parakusht për integrimin e vendit në hapësirat evropiane të arsimit të lartë.

Ministria e Arsimit është e angazhuar dhe përkushtuar që të ofroi mbështetje të vazhdueshme në arritjen e synimeve tona të përbashkëta për një arsim sa më cilësorë në Kosovë.

Të dashur studentë dhe profesorë,

Uroj që puna juaj në të ardhmen të jetë bazë e fuqishme për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës!

Suksese!

Me respekt,
Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupa nga Koreja Veriore dhe ajo Jugore kanë filluar largimin…