Urimi im për ty

19 shkurt 2020 | 13:05

Elife Podvorica

-Gëzuar kjo ditë e shenjtë për ne!

Është ditë feste sot dhe qysh në mëngjes e bëra “agjendën” time!
E nisa me një vizitë te Afrimi, i cili tani është afër shtëpisë sime, në varrezat e heronjve të Kosovës! Që nga ardhja e tij këtu më duket sikur është ngritur edhe një flamur me sfondin e kuq në atë vend ku dalëngadalë po mblidhen yjet që i dhanë dritë kësaj toke.
Para se të afrohesha tek vendi i heronjve, pashë turma të mëdha njerëzish që ishin nisur për t’i nderuar ata. Njerëzit vinin në grupe dhe me familje. Ata parakalonin në heshtje me respektin e madh në sy, ndalonin te secili dhe vendosnin lule të freskëta, ndërsa të rriturit ju flisnin fëmijëve, ju tregonin për secilin nga ata emra që preheshin aty për këtë ditë që ne po e gëzojmë.
Edhe tek varri i vëllait tënd po ashtu ndaleshin dhe tregohej historia e tij. E di që në zemrën time je sot këtu në festën e Kosovës, je këtu pranë varrit të vëllait tënd, andaj po mundohem ta bëjë kujdesin e motrës edhe këtu, tek fqinji im më i nderuar i kombit! Çdo herë kur jam tek Afrimi, disi ndjejë si shpaloset fleta e lavdishme e historisë, si nis nëntori përflakshëm me emrin e tij dhe të Fahriut me shokë!


Zërat e fëmijëve të shumtë që sot herë flisnin e herë këndonin tek varrezat e heronjve të Kosovës, më ngjanin në cicërimë bilbilash që po i ledhatonin dhimbjet e nënave, baballarëve, fëmijëve të të rënëve. Kënga e gëzuar e fëmijëve po i ledhatonte plagët e Kosovës që kanë nisur të qetësohen nën gëzimin e Republikës.
Si gjethet e laurës që i vura mbi varre, që nuk vyshken dimër e verë, ashtu mos u vyshkë kurrë kujtimi për ju! O djem e burra, heronj që me përpjekjet tuaja e çliruat këtë tokë, çliruat njerëzit e vendit tuaj, derdhët gjakun në lule të rinisë dhe tani po preheni në altarin e lirisë me madhështinë hyjnore! Lavdi!
U largova nëpër mes turmës dhe tani desha ta vizitoj motrën Mire, hallën që së bashku me bacin Ali, e mbanin derën dhe zemrën gjithnjë të hapur për çdo student e veprimtar të lirisë.
– Oh hajde loqka jeme! Më përqafonte e më uronte mirëseardhje të ngrohët motra Mire me ëmbëlsinë e nënës!
Urime festa motra Mire i thash në mes përqafimit dhe gëzimit të saj.
Nga dhoma e ndejës, vinte zëri i një dokumentari televiziv mbi luftën e popullit shqiptar nder shekuj, realizim i TVSH-së, të cilin kishte qenë duke e shikuar motra Mire.
– Vetëm je motra Mire?
– Po valla motra jem! Djali me punët e veta, vajza po ashtu!
– Më dhëmb shpirti për vajzën time! Ja si kjo pamje që ndoqëm në ekran, ka ndodhur në shtëpinë time para shumë kohësh!


S’e harrojë atë ditë kurrë, kur policët serbë hyn vrullshëm tek ne në shtëpi për të marrë Aliun me vete në burg!
Suli mu gjuajt në gjoks, sepse u frikësua nga helmetat e policëve! Ishte vetëm dy-tre vjeçe! Njëri nga policët u afrua dhe me rrëmbim ma hoqi vajzën nga prehri duke menduar se kisha fshehur gjë nën trikon që kisha veshur! Vajza u tremb shumë dhe filloi të qante me zë!
– Oh ma çmendët vajzën more njerëz të mallkuar – u thashë unë me sa zë që kisha!
E morën Aliun me vete! Kafen që ishte duke e pirë e la përgjysmë! Ashtu mbeti edhe gazeta që ishte duke lexuar – e hapur!
Ende e ruaj filxhanin me të cilën ka pi kafen e mëngjesit! Ma në fund u rehatua i shkreti!
Vetëm vdekja i solli prehjen! Jeta e tij ishte tërmet!
– Ishte i rreptë dhe i kujdesshëm njëkohësisht në çështjet kombëtare! Por edhe në edukimin e fëmijëve të tij!
Një ditë teksa djali po rrëfente se donte t’i kryente edhe do punë të rëndësishme e pastaj të merrej me përgatitjen e diplomës, pa një, pa dy ia ngrit dhe i tha: pa diplomë nuk i duhesh askujt, e as mua djalë pa diplomë nuk më duhet!
Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe ajo ditë kur djali duhej të mbronte temën e diplomës dhe më mori edhe mua me vete!
I thashë po ç’të duhem djali im aty! Unë jam një nënë e pashkollë dhe ata profesorët do të përqeshin ty!
– Kur shkuam në sallën ku mbahej diplomimi, djali ynë së pari na falënderoi ne dy prindërve për kujdesin që kishim bërë gjatë studimeve të tij, pastaj profesorët e vet!
– O hallall të qoftë mundi im djali jem – thosha unë me vete! Sa shumë foli e foli dhe në fund të gjithë profesorët e lavdëruan shumë për punën që kishte bërë!
– Eh, djali jem! Vuajti shumë, ashtu si i ati! Kanë pas shtratin e njëjtë të burgut! Në shtratin ku ka fjet Aliu në burg, pas shumë viteve i ka ra hise djalit tim ai shtrat! – Psherëtiu motra Mire në një moment dhe shikimi iu hoq zvarrë kah dritaret e dhomës në të cilat po reflektonin rrezet e diellit të kësaj dite me kuqe…
Motra Mire kjo grua e ëmbël, që sa herë e takoi më duket se shfletoj faqe të reja të një historie, kapituj vuajtjesh, dhimbjesh, qëndrese dhe mbijetese. Gjurmë këto që kanë zënë vend në rrudhat e ballit të saj që padashje qesin në pah vitet e rënduara të një jete furtunë …
Më përcolli me dashurinë e një nëne! Ndërsa njerëzit në shesh e kudo nëpër lagjet e qytetit po festonin dhe po i gëzoheshin kësaj dite që u kishte sjellë Lirinë…
Teksa po ecja me hapin tim të rënduar nga pesha e emocioneve që kisha marrë këtë mesditë, mendoja sa shumë nëna e baballarë, motra e vëllezër, gra e fëmijë të të rënëve dëshmorë, në këtë ditë kanë një gërshetim të fortë dhimbjeje e gëzimi…
Por, dita ime nuk kishte përfunduar këtu!
Natyrshëm u nisa për fshatin Llugë! Gjersa makina po merrte kthesën e drejtë nga bërryli që lë pas një mal me drunj të shpeshtë, përpara mu shfaq flamuri i madh kuq e zi, i cili sot po valëvitej hareshëm në qiellin e kaltër plot diell! Afër tij dallova siluetën e një gruaje që ishte mbështetur në shkallët e obeliskut të Afrimit! E kush mund të ishte, veç nënës Qamë, e cila me një buqetë kajranfilash të kuq po rrinte e thelluar në kujtimet e saj!
– Oh, nëna Qamë! Urime kjo ditë !Urime djalit tënd hero!
– U gëzofsh bija ime dhe qofsh e nderuar gjithmonë! Urime djalit tim dhe të gjithë shokëve të tij! E gëzofshin këtë ditë fëmijët tanë, e u rritshin të lirë e të gëzuar ashtu siç djali im deshi dhe bëri përpjekje deri në frymën e tij të fundit!


– Më besonte gjërat më të fshehta vetëm mua! Dija aq shumë plane e aktivitete të tijat që duhej t’i mbaja heshtur edhe pse shpirti im e dinte si! Por, sot që nga mëngjesi, mu ka kujtuar një ditë 8 marsi kur Afrimi i kishte kërkuar mësuesit të tij që ta lironte nga shkolla për të shkuar në qytet dhe për të blerë lule për nënën e tij! Mësuesi, nga frika se ai nuk do të dinte të shkonte vet në qytet, i mbledhë gjithë nxënësit e klasës dhe dalin në livadhin afër shkollës dhe i mbledhin ato lulet e para që dalin në pranverë! Qëllova në oborr dhe pash teksa po zbriste shpatit teposhtë me një tufë lulesh në dorë! Kishte të veshur një këmishë të bardhë dhe fytyra po i shkëlqente nga gëzimi kur më pa! Urime nëna ime 8 marsi – dita e nënës, më tha dhe më puthi në dy faqet! Hej zot! Si sot më kujtohen balluket që ia valëzonte era mbi faqet e skuqura nga vrapi që kishte bërë për të ardhur sa më shpejt tek shtëpia – … filloi rrëfimin e saj nëna Qamë, gjersa po i afroheshim shtëpisë ku na priste baca Osman me atë buzëqeshjen e tij e cila i shfaqet bujshëm, sa herë që dikush ia mësynë konakut të tij! Edhe në ditët më të vështira të jetës së tij, edhe në kohët më të trazuara, baca Osman ishte çdo herë i njëjti në mikpritjen dhe bujarinë e tij llapjanqe…
Urime baca Osman Dita e Pavarësisë së Kosovës, – po e zgjasja unë zërin, duke u munduar të mbuloja ato nota dhembjeje që shiheshin në sytë e tij, me shikim të vagullt nga pesha e viteve që kishte mbërri…
– Sot nuk munda të shkoja tek varri i Afrimit – më tha me një ofshamë të thellë!
– Mos u mërzit baca Osman! Tek varri i djalit tënd sot, kishin shkuar përplot nëna e baballarë të rinj që po u flisnin me krenarinë më të madhe fëmijëve të tyre, për birin tënd me shokët e tij!
Ai kështu deshi! Lirinë dhe kujdesin për kombin e njerëzit e tij…po fliste ai me sytë të drejtuara kah qielli i kaltër, ngjyrën e të cilit e kishte përthyer flamuri i lartë kuq e zi…
Gëzuar festa e dashur Sadete! U mundova të t’i sjellë ca dromca jete nga Kosova yte! Nga Kosova e vëllait tënd Afrim!
Gëzuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Neymari ka zbuluar se PSG-ja kanë qenë shumë të frikësuar…