Urrejtja e Jovanka Brozit për Fadil Hoxhën
Në librin Jeta ime, e vërteta ime të Zharko Jokanoviqit që bazohet në rrëfimet e Jovanka Brozit – të gruas së liderit të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito – përmendet urrejtja ndaj shqiptarëve, në veçanti ndaj liderit komunist të Kosovës, Fadil Hoxhës. Telegrafi sjell disa pjesë të këtij libri.
Jovanka Broz, për të cilën dyshohet se mbronte linjën antishqiptare dhe se ka planifikuar vrasjen e Titos, ka shprehur ashiqare urrejtjen e saj ndaj shqiptarëve, e sidomos Fadil Hoxhës.
Në “kujtimet” e saj thotë se prejardhjen e kishte nga Peçani i Prizrenit. Ajo madje me “saktësi” thotë se paraardhësit e saj janë larguar më 1482 nga Kosova, për të shkuar në Likë të Kroacisë.
Sipas saj, Aleksandar Rankoviqi dhe Sllobodan Peneziq Krcuni kanë sjellë nga Shqipëria 300 mijë shqiptarë në Kosovë, “për të krijuar një embrion politik që kanë dashur ta zbatojnë, por kjo ka dështuar”.
“U dhanë punë dhe banesa e gjithçka. Ata shumoheshin e mbetën aty. Për këtë nuk fliste askush. E, ata nuk kishin të drejtë të qëndronin. Askush nuk u tha të kthehen prapa. Andej nga keni ardhur. Kthehuni. Për këtë janë fajtorë ata që i sollën. Askush pos serbëve ata nuk i solli. Për këtë nuk guxohej të flitej”.
Ajo flet edhe për vizitën e saj të parë në Kosovë.
“I kam marrë hartat e vjetra austriake ku kanë jetuar paraardhësit e mi dhe disa dokumente që kam pasur, dhe diçka tjetër që ishte e imja. Paraardhësi im ishte një prift në Kosovë që ka ikur para Betejës së Kosovës për në viset e Likës … Aty ishin ata udhëheqësit e Kosovës dhe Pero Stamboliqi. Tërhoqa hartën dhe thash: ‘Dua të më dërgoni aty ku kanë jetuar paraardhësit e mi’. Dhe, Fadil Hoxha tha: ‘Nuk ka mbetur askush aty, gjithçka është kthyer përmbys, s’ka asgjë’. Doja të nisja bisedën për Kosovën dhe problemet atje. Iki Pera Stamboliqi, sepse nuk donte ta prekte problemin. Me këtë Fadil Hoxhën e ndyrë ai nuk donte diskutime. Dhe, unë mendoja se ky problem duhej hapur kur Tito ishte gjallë”, ka thënë Jovanka.
Sipas saj, politikanët serbë po si qyqarë i qaseshin Kosovës. Tito thotë se e dinte “problemin”, por ai kishte presione nga Sllovenia.
“Ata përzienin. Prandaj, Tito nuk e hapi këtë problem atëherë”, thotë ajo, natyrisht, me qëllimet se donte ta zgjidhte “problemin e Kosovës” sipas interesave serbe, sepse ajo cekë se “është edukuar me këngët për Kosovën” dhe se Kosovën e kishte “në zemër e shpirt”. Prandaj, në vazhdim ka thënë: “Liderët serbë në atë kohë, më besoni, shumë pak ose pothuajse asgjë nuk ka punuar në çështjen e Kosovës. S’e di se si myslimanët (boshnjakët – v.j.) mbaheshin rreth Kosovës. Kroatët i prishën sllovenët dhe ata e jepnin aminin”.
Sipas saj, Kosova duhej zgjidhur jo me dhunë, sepse dhuna krijonte rezistencë!
“Duhej punuar atje dhe zgjidhur problemet, e jo për të qarë … Unë isha në konflikt me Vida Tomshiqin. Ajo synonte planifikimin familjar, e unë i them: ‘Dëgjo Vida, lehtë e keni të planifikoni familje në Slloveni. I ke dy fëmijë dhe këtë e ke planifikuar. Hajt planifiko në Kosovë ku janë mesatarisht pesë fëmijë. Aty dëshmohu me planifikim’ … Është dashur të bisedohej për pronë, me ekspertë, avokatë, juristë, në vendin e ngjarjes, për të analizuar çdo amvisëri: si u bë që shtëpia serbe është nën pushtetin shqiptar, në duart e tyre? Hajt të shohim se si nuk e kanë paguar rrymën, banesën e asgjë tjetër. Hajt ta zgjidhim këtë dhe qindra gjëra tjera që atje janë mbledhur … Politika duhej bërë me kryepleq të Kosovës. Ata janë fis. Një stërgjysh ka përshkruar shpërnguljen e tyre. Kanë ardhur nga malet, fise të egra i kanë quajtur. Dhe, ata mbahen me kryepleqtë … Ndërsa, flisnin me politikanë e këtu doli tragjedia”.