Ursula von der Leyen synon një mandat të dytë si shefe e KE-së

19 shkurt 2024 | 14:49

Ursula von der Leyen do të synojë që të fitojë një mandat të dytë si shefe e Komisionit Evropian.

Nëse e fiton, ajo do të mund të bëhet ndër politikanët më të rëndësishëm që përfaqëson bllokun evropian me 450 milionë banorë, brenda një gjenerate.

“Po e marrë këtë vendim me vetëdije plotë dhe të menduar mirë. Dua të garoj për një mandat të dytë në pozitë dhe jam e lumtur që partia më ka nominuar sot”, ka thënë von der Leyen në një konferencë për media, pas takimit të Partisë Demokristiane në Berlin.

Pas pesë vjetëve në krye të bllokut me 27 anëtarë dhe përballjes me shumë sfida, përfshirë pandeminë e koronavirusit dhe dy vjetët e para të luftës së Rusisë në Ukrainë, emri i 65-vjeçares është shtyrë përpara nga partia e saj gjermane Unioni Demokristian, dhe kjo gjë do të zyrtarizohet kur një grup partiak në nivel evropian, të mblidhet në Bukuresht, muajin e ardhshëm.

Presidenti i partisë Friedrich Merz, ka thënë të hënën se partia e tij e ka zgjedhur në mënyrë unanime von der Leyenin që të jetë kandidatja për të fituar sërish atë pozitë.

Në Konferencën e Sigurisë, që është mbajtur gjatë fundjavës në Munih, von der Leyen ka thënë se BE-ja do të prezantojë një plan për strategji të re në mbrojtje, që synon të lehtësojë procedurat e blerjes së armatimit mes vendeve të bllokut.

Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, do ta zgjedhin presidentin e Komisionit, pas zgjedhjeve që do të mbahen në Parlamentin Evropian, në muajin qershor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri ndër avokatët më të rëndësishëm të Rexhep Selimit, David…